Botërori “Rusi 2018”, njihuni me 10 trajnerët më të shtrenjtë

Kur kanë mbetur edhe 35 ditë deri në fillimin e Kampionatit Botëror në Rusi, janë përcaktuar pothuajse të gjitha detajet, përveç listave përfundimtare të futbollistëve të 32 skuadrave pjesëmarrëse.

Një e dhënë kurioze që është publikuar në orët e fundit është ajo që ka të bëjë me pagat e 32 trajnerëve pjesëmarrës në këtë kompeticion, që u zbuluan nga “Zoomin TV”.

Trajneri më i paguar i Botërorit të Rusisë rezulton të jetë ai i përfaqësueses gjermane, kampiones së botës në fuqi, Joakim Lëv, me një pagë prej rreth 3.8 milionë eurosh, ndërkohë që në vendin e fundit është trajneri i Senegalit, Allu Sise, me vetëm 200 mijë euro.

Pas Lëv, trajneri i dytë më i paguar në Botërorin e Rusisë është ai i Brazilit, Tite, që përfiton 3.4 milionë euro, ndërsa podiumin e plotëson trajneri i përfaqësueses së Francës, Didie Deshamp, që gjithashtu ka një pagë vjetore prej3.4 milionë euro.

Pas kësaj treshe renditet seleksionuesi i Spanjës, Julen Lopetegi, me një pagë prej 2.9 milionë eurosh dhe ai i Rusisë, Stanislav ÇerÇesov, me 2.5 milionë euro.

Në dhjetëshen e trajnerëve më të paguar të Kupës së Botës janë edhe Fernando Santos i Portugalisë, Karlos Kueiroz i Iranit, Garet Sautgejt i Anglisë, Zhorge Sampaoli i Argjentinës dhe Oskar Tabarez i Uruguajit.

Rikujtojmë KB “Rusi 2018” starton me 14 qershor me ndeshjen midis nikoqirëve të Rusisë dhe Arabisë Saudite.

 

Leave a Reply