Keita: Mund të shënojë 20 gola në sezon

Me Senegalin pak ditë më parë realizoi një gol spektakolar në eliminatoret për Kupën e Afrikës, ndërsa ndaj Parmës këtë të shtunë me shumë gjasa do të luajë ndeshjen e tij të dytë si titullar me fanellën e Interit dhe të 4-n në këtë sezon dhe sërish do të vendoset në majën e sulmit ashtu si ndaj Bolognas, pasi Lautaro Martinez është i dëmtuar ndërsa kapiteni Icardi kthehet vetëm këtë të enjte nga grumbullimi me Argjentinën dhe do të ruhet për sfidën debutuese në Champions League ndaj Tottenham. Në një intervistë për Sky Sport Italia Keita Balde ka folur për objektivat me Interin për ndeshjen e radhës për pozicionin e tij në fushë por edhe për kapitenin Icardi.

Objektivi – “Mendoj që mund të arrij të shënoj 15-20 gola këtë sezon, sepse do t’i kem rastet për të shënuar. Unë përpiqem të shfrytëzoj në maksimum cilësitë e mia. Kemi një grup të shkëlqyer me djem të talentuar dhe është një kënaqësi që ndodhem këtu. Skuadra është shumë e fortë, jemi shumë lojtarë të rinj, që duhet të kuptohemi në lojë, por jemi të fortë.”

Parma – “Objektivi ynë është të fitojmë ndeshjen e së shtunës, pavarësisht se kush shënon. Golin tim të parë në Seria A ia kam shënuar Parmës. E mbaj mend mirë, fitova një duel, driblova Miranten dhe shënova.”

Qëllimi dhe pozicioni në fushë – “Dua të vazhdoj të jem pjesë e këtij klubi të madh. Dua që të gjithë tek Interi të kujtojnë emrin tim në të ardhmen. Roli im kryesor është anësor sulmi, sepse më pëlqen të dribloj kundërshtarët dhe aty mund të bëj diferencën.Kam luajtur dhe si sulmues i parë, ose i dytë dhe ka shumë opsione. Kam luajtur me futbollistë me eksperiencë dhe të fortë dhe kjo gjë të bën të mësosh shumë. Jam akoma i ri, mund të përmirësohem dhe mund të bëj diferencën si titullar, por dhe si zëvendësues.“

Icardi – “E njoh që nga koha, kur ishim pjesë e moshave të Barcelonës. Ai është një sulmues, që ndoshta nuk e sheh shpesh, por brenda zonës,vështirë që humbet ndonjë rast për gol.”

Leave a Reply