Ajaksi i pamëshirshëm ndaj AEK-ut, Shakhtari dhe Hofenhajmi ndahen me barazim (VIDEO)

Në ndeshjet e para të ditës së sotme në kuadër të Ligës së Kampionëve, Ajaksi si vendas me rezultatin 3:0 mundi AEK-un, ndërkohë Shakhtari dhe Hofenhajmi barazuan me rezultatin 2:2, njofton “infOSport.mk”.

Në pjesën e parë rrjetat pushuan edhe përkundër dominimit të plotë të Ajaksit, skuadër kjo që golin e parë e gjeti që në startin e pjesës së dytë, kur Taljafiko shënoi për 1:0. Van de Bek në minutën e 77-të ngriti epërsinë në 2:0, ndërsa Taljafiko në minutën e fundit të takimit shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Ajaksin, skuadër kjo që në këtë mënyrë e nisi në mënyrën më të mirë sezonin e ri në ligën më prestigjioze europiane.

Në ndeshjen e dytë që kishte startuar në orarin e njëjtë (18:55h), Shakhtari dhe Hofenhajmi kishin barazuar 2:2. Mysafirët kishin avansuar të parët në këtë ndeshje me golin e realizuar nga Girlitsh që në minutën e 6-të, ndërsa barazimin Shakhtarit i’a solli Ismaili në minutën e 27-të. Megjithatë mysafirët nga Gjermania pak para fundit të pjesës së parë sërish kaluan në epërsi, falë golit të Nordtveit.

Në vazhdim të ndeshjes Shakhtari ishte skuadër shumë më e mirë, ndërsa një gjë e tillë iu pagua në minutën e 81-të, kur Mycon me një proektil të vërtetë mposhti portierin mysafir, Bauman.

Deri në fund të takimit vendasit kishin edhe disa raste të tjera për gol përmes së cilave mund të siguronin fitoren, mirëpo deri te ndryshimi i rezultatit nuk erdhi, ashtu që në fund të dyja skuadrat duheshe të pajtohen me ndarje të pikëve.

Leave a Reply