Allegri thotë se ka ardhur koha që Juve të fitoj tituj edhe në Europë

Trajneri i skuadrës kampione të Italisë, Juventusit, Masimiliano Allegri ka thënë se ka ardhur momenti që “Zonja e Vjetër” të fitojë tituj edhe në Europe, pasi edhe pse i kanë shkuar shumë pranë titullit të Ligës së Kampionëve vitet e kaluara, megjithatë të njëjtin nuk kanë arritur ta fitojnë dhe ta sjellin në Torino.

“Pasi kemi fituar 7 tituj kampion dhe 4 kupa të Italisë, është koha të fitojmë edhe në Europë,”- ka thënë trajneri në një event të ‘Samsung’.

Kristiano Ronaldo?

‘Mendoj se ai po e menaxhon mirë çështjen, si gjithmonë, ndërkohë ne i kemi treguar se jemi pranë tij.’

‘Përsa i përket lojës, ai është i jashtëzakonshëm. Pas pushimit të kombëtareve ne do të përballemi me Xhenoan, që sapo kanë ndryshuar trajnerin e tyre, por nuk do të jetë e lehtë.’ – tha Allegri, i cili foli gjithashtu edhe rreth situatës me futbollistët e dëmtuar: “Po të flasim për mungesat dhe dëmtimet, Daglas Kosta është mirë dhe do të jetë në ndeshjen e radhës por nuk e di për Sami Kediran.’

Juventusi sezonin e ri në ‘Serie A’ e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar 8 fitore në po aq ndeshje, ndërsa gjithashtu me fitore ka nisur edhe ndeshjet në Ligën e Kampionëve, ku në dy ndeshjet e para të grupit ‘H’ ka regjistruar po aq fitore, duke mundur Valencian (2:0) në transfertë, si dhe Jang Bojsin (3:0) në shtëpi.

Juventusi në 5 vitet e fundit dy herë luajti në finalet e Ligës së Kampionëve, por që në të dyja rastet u mund nga dy gjigandët spanjoll, Real Madridi (1:4) dhe Barcelona (1:3). Për herë të fundit që “biankonerët” kishin triumfuar në ligën më prestigjioze europiane, kishte qenë viti i largët 1996, kur në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin ‘Olimpiko’ në Romë përmes penaltive kishin mundur Ajaksin.

Leave a Reply