Barcelona drejt titullit, fiton derbin me Atletikon

Barcelona “vuri njërën dorë” te titulli kampion i Spanjës, pasi mposhti në “Camp Nou” Atleticon e Madridit, që ishte njëkohësisht edhe rivali kryesor i tyre në këtë betejë.

Katalanët dominuan takimin për gjatë gjithë 90-minutëshit, duke përfituar edhe nga fakti që miqtë nga Madridi luajtën për më tepër se 60 minuta, me një futbollist më pak.

Ishte pikërisht sulmuesi brazilian Diego Costa, që u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 28’, duke lënë skuadrën e Simeones me 10 futbollistë dhe duke kompromentuar garën më të rëndësishme të sezonit.

Megjithatë “Los Colchoneros” arritën të rezistojnë për plot 85 minuta, duke ruajtur rrjetën të paprekur deri kur Luis Suarez shënoi një gol mjaft të bukur, pas një gjuajtjeje nga jashtë zone.

Vetëm dy minuta më vonë, ishte kapiteni dhe lideri i Barcelonës, Lionel Messi, që pas një kundërsulmi, mposhti për herë të dytë portierin Oblak dhe vulosi suksesin e katalanëve.

Me këtë fitore, Barcelona çoi në 11 pikë diferencën nga Atletico e vendit të dytë dhe kur kanë mbetur edhe 7 javë nga fundi, duket e pamundur që dikush t’u rrëmbejë titullin atyre.

Leave a Reply