Nadal dërmoi Djokoviç në finalen e “Roland Garros” duke fituar trofeun e 20 “Grand Slem”

Të mposhtësh Rafael Nadal në turneun Roland Garros është praktikisht një mision i pamundur për të gjithë tenistët e tjerë, madje edhe për vetë numrin 1 të botës.

Kjo u pa në edicionin e këtij viti ku spanjolli u shfaq praktikisht perfekt teksa fitoi titullin e tij të 13 në këtë turne duke barazuar në këtë mënyrë rivalin dhe mikun e tij të mirë Roger Federer me 20 tituj Grand Slam të fituar në karrierë e si pasojë duke gdhendur akoma më fort emrin e tij si ndër më të mirët në historinë e tenisit botëror.

I fundit që e provoi forcën e Nadal në fushat e “Roland Garros” ishte as më shumë e as më pak por numri 1 i botës Novak Djokoviç në finalen e këtij turneu.

Tenisti serb që vinte pas një gjysmëfinaleje maratonë me Tsitsipas e pa veten të eklipsohej totalisht nga Nadal në dy setet e parë me spanjollin që e la të fitojë vetëm 2 game.

Seti i parë nuk pati histori me Nadal që nuk i la asnjë shans kundërshtarit të tij dhe e fitoi atë pastër 6-0, ndërsa në të dytin Djokoviç arriti të evitojë një turp të dytë duke fituar 2 game me Nadal që e mbylli 6-2.

Në setin e tretë u pa një përmirësim në lojën e Djokoviç që arriti të fitojë një game me shërbimet e Nadal që mund të kishte ndryshuar disi rrjedhën e lojës, por Nadal nuk e lejoi dhe në fund e fitoi edhe këtë set këtë radhë 7-5 dhe krejt ndeshjen për të regjistruar edhe fitoren e tij të 100 në Roland Garros në 102 sfida të zhvilluara e sidomos për të ngritur trofeun e evenimentit për të 13 herë. (Top Channel)

Leave a Reply