Kuman: Jam i mësuar me presionin e “El Clasico”

Ronald Kuman analizoi situatën te Barcelona para ndeshjes “El Clasico”, që do të zhvillohet këtë të shtunë, në orën 16:00.

Për holandezin do të jetë kjo hera e parë që do ta ndjek këtë ndeshje nga bankina, si kryetrajner i Barcelonës, pasi dekada më parë ka patur rol protagonisti në fushën e blertë.

Fillimisht 57-vjeçari shprehu keqardhjen që Barcelona-Real Madrid do të luhet pa tifozë.

“Të gjitha ekipeve u mungojnë shumë tifozët. Është paksa e çuditshme të kesh një fushë kaq të madhe të zbrazët. Pak nga pak, duhet të mësohemi. Le të shpresojmë që së shpejti të kemi tifozët dhe të ndihmën e tyre” – u shpreh Kuman.

Edhe Barcelona, edhe Reali në këtë ndeshje vijnë pas dështimeve të tyre në La Liga. Barcelona u mund nga Getafe në transfertë, ndërkohë Reali nga Kadizi në shtëpi. Për më tepër “mbretërit” u mundën në shtëpinë e tyre edhe në mesjavë nga Shakhtar Donetsku në kuadër të Ligës së Kampionëve.

“Ka shumë presion para kësaj ndeshjeje dhe nuk varet nga takimi i mëparshëm, as për ne dhe as për Madridin. Ata ndoshta nuk kanë qenë në nivelin e tyre, veçanërisht në shtëpi, por nuk do të thotë se është një ekip që vjen me moral të ulët. Reali është një ekip me përvojë të madhe dhe mund ta fitojë përballjen. Nuk mendoj se do të kenë ndikim dy humbjet e fundit të Madridit.” – deklaroi Kuman.

Nga lojtar, në trajner në “El Clasico”, Kuman thotë se është mësuar me presionin e kësaj ndeshjeje.

“Shpresoj që do mund të fle i qetë. Është ndryshe të jesh në stol. Kam qenë në këtë sport për shumë vite dhe mendoj se do të luajmë një sfidë të rëndësishme kundër rivalit tonë më të madh. Jam mësuar me këtë presion” – përfundoi Kuman.

Gjithsej të etiketuara

Leave a Reply