Grozhan nga spitali: Mbrojtësja prej kurore më shpëtoi jetën!

Edhe pse më parë ka qenë skeptik për barrierën mbrojtëse të vendosur para kabinës së pilotit në makinat e Formula 1, Roman Grozhan thotë se pikërisht pajisja mund t’i ketë shpëtuar jetën pas aksidentit të tmerrshëm në garën e Bahrein, ku makina e tij u nda në dy pjesë dhe u pushtua nga flakët.

Incidenti ndodhi në xhiron e parë të garës së të dielës kur Grozhan “u ngul” me mjetin e tij në barrierat mbrojtëse pas kontaktit me Danil Kvyat më kthesën e tretë. Francezi arriti të ngrihej e të largohej nga makina e tij por kaloi natën në spital për disa të djegura në duar.

“Dua të them se jam mirë,” tha Grozhan në një video nga krevati i spitalit, i cili garon me skuadrën Haas-Ferrari.

“Falemnderit për mesazhet. Nuk kam qenë dakord kur u vendos mbrojtësja në formë kurore para pilotit disa vjet më parë. Por tani mendoj se është gjëja më e madhe që është bërë. Sikur të mos ishte për të nuk do të mund të flisja me ju sot”.

Mbrojtësja prej titani është tashmë e detyrueshme për të gjitha makinat garuese në Formula 1 që prej prezantimit të saj në vitin 2018.

Ajo mbron kroskotin e pilotëve dhe mund të durojë peshën e një autobuzi me dy kate, sipas Formula 1.

Ndërsa shoferi i skuadrës Renault, Daniel Rikiardo shprehu kritika për mënyrën sesi përplasja e Grozhan u transmetua në televizion.

“Fillimisht jam i lumtur që ai është mirë. Por jam shumë i zhgënjyer me Formula 1 për shfaqjen e vazhdueshme të pamjeve të rënda të zjarrit, të makinës së ndarë më dysh. Kujt i nevojiten këto? Familja e tij e shikonte atë, nuk është e bukur të transmetohen këto gjëra me stil Hollivudi”

Leave a Reply