Makedonija Gj.P sërish u mbijetoi sulmeve të Struga Trim Lum!

Makedonija GJ.P sërish u mbijetoi sulmeve të Struga Trim Lum, duke i shkëputur dy pikë të tjera skuadrës strugane, që edhe sot, këtë herë me trajnerin e ri Shpëtim Duro nuk i’a doli dot të shënojë në rrjetën e skuadrës shkupjane, duke barazuar pa gola, njofton “infOSport.mk”.

Edhe në këtë ndeshje Struga Trim Lum krijonte raste, mirëpo mysafirët i’a arritën të mbrohen mirë për gjatë gjithë ndeshjes, duke mos menduar thuajse fare për golin kundërshtarë.

Në saje të një loje të tillë të aplikuar nga mysafirët, shanset e Struga Trim Lum për të shënuar ishin shumë të vogla, pasi kishte momente kur Makedonija GJ.P mbroheshe edhe me 9 lojtarë.

Pjesa e parë ishte më e dobët sa u përket rasteve të krijuara, ndërsa një gjë e tillë nuk mund të thuhet për pjesën e dytë, sidomos për 20 minutëshin e fundit të takimit, kur thjeshtë rastet para portës së Stevkovskit renditeshin si në shiritin filmik.

Valentin Koçoski në minutën e 72-të pati mundësinë më të mirë për të shënuar, mirëpo goditja e tij nga brendia e zonës me këmbën e majtë përfundoi vetëm jashtë kuadratit. Në aksionin e rradhës, që erdhi pas një ekzekutimi të rivënies nga këndi, edhe Sava Radiç tentoi të shënojë, mirëpo në momentin e fundit i njëjti u pengua nga ana e njërit prej mbrojtësve të skuadrës mysafire, që e devijoi topin në rivënie nga këndi.

Në minutën e 76-të një rivënie tjetër e ekzekutuar nga skuadra jonë, vuri në vështirësi sërish portierin mysafir Stevkovski, që grushtoi topin, duke pastruar rrezikun para portës së tij.

Pas disa pasimeve të sakta para zonës kundërshtare, Koçoski me të majtën e tij tentoi të shënojë sërish në minutën e 84-të, mirëpo edhe njëherë tjetër në vendin e duhur ishte Stevkovski.

Në minutën e 86-të arbitri kryesor ndëshkoi me të verdhë nigerianin Ukpa, pasi ky i fundit sipas tij kishte simuluar për penalti pas duelit që pati në zonën kundërshtare me Esmin Liçina.

Hogan Ukpa u kanos edhe në minutën e fundit të takimit, këtë herë me një goditje nga distanca, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar, madje edhe pas 5 minutave shtesë të lojës.

Edhe pas këtij barazimi, Struga Trim Lum vazhdon të ruajë pozitën e parë në renditje, tashmë me 43 pikë, dy më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë.

Ndeshjen e rradhës skuadra lidere do ta zhvillojë në Shkup përballë Rabotniçkit.

Leave a Reply