FC Shkupi dhe Shkëndija fitojnë, Struga Trim Lum sërish barazon me Makedonija GJ.P

Të dielën u rrumbullaksua java e e 23-të në elitën e futbollit vendor, aty ku Struga Trim Lum vazhdon të udhëheq renditjen, pavarësisht edhe një barazimi tjetër ndaj Makedonija GJ.P, brenda disa ditëve, njofton “infOSport.mk”.

Përkundër dominimit të plotë që kishte skuadra strugane edhe sot ndaj skuadrës shkupjane, goli mungoi në rrjetën e Stevkovskit, që në fund doli të jetë më i merituari për këtë pikë të arkëtuar në këtë transfertë të vështirë.

FC Shkupi pas një kohe të gjatë u rikthye të luaj në Çair, ndërsa me këtë kjo skuadër u rikthye tek fitorja, që erdhi pas tre ndeshjeve. Skuadra e trajnerit Goce Sedlloski si vendas mundi Rabotniçkin me rezultatin 3:1, me të gjithë golat që u shënuan gjatë pjesës së parë.

Melos Bajrami hapi rezultatin me golin e realizuar në minutën e 11-të, derisa golin e parë me fanellën e Rabotniçkit e realizoi edhe Atdhe Mazari, që pasi pranoi një top në thellësi para zonës kundërshtare, me një lëvizje të bukur arriti që të shmang Bajramin dhe me të majtën e tij të shënojë për barazim të rezultatit në 1:1.

Pas një aksioni model në minutën e 33-të, braziliani Inacio Kueven riktheu epërsinë e FC Shkupit, skuadër kjo që 5 minuta më vonë avansoi edhe me shifrat 3:1, falë golit të Renato Cefas.

Eraldo Çinari shumë shpejtë morri zemrat e “Ballistëve”, sidomos pas paraqitjes së sotme ndaj Akademia Pandev, ku arriti të shënojë dy gola në fitoren 2:1 ndaj skuadrës nga Strumica.

Golin e vetëm për skuadrën e Vasoskit në Tetovë e realizoi gjeorgjiani, Mikheili Ergemlidze.

Bregallnica me trajnerin e ri Goran Zdravkov para tifozëve të vetë demoloi Pobedën, duke mundur me shifrat 4:0. Dodev dhe Mojsov shënuan në fazën e hershme të pjesës së parë, ndërsa në pjesën e dytë në skenë doli mesfushori 21-vjeçar Ivan Nikolov që brenda 6 minutave shënoi dy gola në rrjetën e mysafirëve nga Prilepi.

Kujtojmë, dje Sileksi në Kratovë mundi Skopjen me shifrat 3:1, duke vazhduar të qëndrojë pas treshes Struga Trim Lum, FC Shkupi dhe Shkëndija.

Ndeshjet e javës së 24 në elitën e futbollit vendor, në program janë të shtunën e ardhshme. (infOSport.mk)

Leave a Reply