Guardia di Finanza ka nisur një operacion të gjerë për të goditur “klanet” e ultrasve të Interit dhe Milanit, duke arrestuar 19 persona.
Mes tyre është një nga drejtuesit e “Curva Nord”, tifogrupit kryesor të tifozëve zikaltër, Marco Ferdico, shumë i afërt me Antonio Belloço, anëtarin e Ndrangheta-s i vrarë më 4 shtator nga Andrea Beretta, gjithashtu një kapoultras i Interit, që tani ndodhet në burg i akuzuar për vrasje.
Në pranga po ashtu ka përfunduar Luca Lucci, drejtuesi i ultrasve të Milanit, tashmë i dënuar për drogë dhe i njohur për fotografimin e tij në vitin 2018 me Matteo Salvinin në festën e 50-vjetorit të tifogrupit “Curva Sud”. U hetua dhe u vendos nën masa paraprake edhe Christian Rosiello, truproja i këngëtarit të njohur italian Fedez, raporton A2.
Sipas hetuesve, ka pasur një marrëveshje midis dy tifogrupeve për të mos pasur luftime mes mbështetësve të organizuar të tyre.
Shkurtimisht, hetimi nga Prokuroria e Milanos ka përvijuar një “aleancë” mes ultrasve të Interit dhe Milanit në trafikun e paligjshëm edhe me infiltrimin e ‘Ndrangheta-s’. Madje nënvizohet se nga hetimet rezulton se klubi i Interit “gjendet në një situatë nënshtrimi ndaj eksponentëve të Curva Nord”.
Në kuadër të këtij hetimi, agjentët kanë ekzekutuar dhjetëra masa paraprake dhe kanë kryer kontrolle ndaj personave nën hetim për “pjesëmarrje në organizatë kriminale me rrethana rënduese të metodës mafioze”, por edhe për zhvatje, plagosje dhe krime të tjera të rënda, shkruan A2.
Nga 19 masat e sigurimit, 16 janë në burg dhe tre në arrest shtëpie. Mes të hetuarve është edhe Manfredi Palmeri, këshilltar rajonal i Lombardisë i zgjedhur me listën e Letizia Moratti dhe këshilltar bashkiak në Milano.
Ai akuzohet për korrupsion mes privatëve për “garantimin e dhënies së kontratës” për parkingjet e stadiumit San Siro. “Tani sido që të jetë ia kam blerë pikturën Manfredit, eh. Është 10 mijë euro bojë”, thotë në një përgjim Gherardo Zaccagni, “menaxher” parkingu që përfundoi në arrest shtëpie për akuza të tjera, përcjell A2.
Procedurat parandaluese kanë nisur ndaj Interit dhe Milanit
Prokuroria e Milanos ka nisur procedimin parandalues ndaj Interit dhe Milanit paralelisht me hetimin për tifozët e organizuar të dy klubeve që nuk janë nën hetim. Klubet do të duhet të demonstrojnë në marrje në pyetje se kanë ndërprerë lidhjet me ultrasit dhe se kanë krijuar modele organizative për të shmangur infiltrimin në biznese të lidhura me futbollin si biletat, parkimi, tregtimi, të cilat janë në qendër të hetimit nga policia.
Përndryshe, prokurorët mund të kërkojnë nga seksioni i masave parandaluese të Gjykatës së Milanos që të urdhërojë administratën gjyqësore ndaj klubeve me qëllim që t’i besojnë një komisioneri për të “pastruar” situatën.
Të dy klubet kanë shprehur sakaq gatishmërinë për të bashkëpunuar me hetuesit. “Në lidhje me hetimet që përfshijnë anëtarë të tifogrupit, klubi u vu menjëherë në dispozicion për të bashkëpunuar me hetuesit dhe për të ofruar çdo dokumentacion e informacion të kërkuar”, thuhet në një deklaratë të Kuqezinjve.
Asnjë koment zyrtar nuk është bërë nga klubi Zikaltër, por konfirmohet se ka gatishmëri totale për të bashkëpunuar me hetuesit për çdo informacion dhe kërkesë. (A2CNN)