Lajm i mirë për Shkëndijën, lëndimi i Zejnullait aspak serioz, rikthehet shumë shpejtë!

Lajme të mira për Shkëndijën, kur është në pyetje dëmtimi i Arbin Zejnullait. Mesfushori “kuqezi” mbrëmë në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Konferencës kundër polakëve të Jagiellonia (1:1), në minutën e 40-të të takimit, pësoi një goditje në fytyrë, pas së cilës humbi për disa momente vetëdijen.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të ekipit mjekësor të “kuqezinjëve”, situata u vu menjëherë nën kontroll, ndërsa lojtari u zëvendësua për arsye sigurie.

Sipas raportit të stafit mjekësor të klubit, është vepruar në përputhje me protokollet dhe rekomandimet për lëndime të këtij karakteri.

Ditën e sotme, Zejnullai iu nënshtrua radiografisë, e cila fatmirësisht nuk evidentoi asnjë dëmtim serioz, ashtu që Zejnullai pritet të pushojë për rreth 2-3 ditë, pas së cilës periudhë rikuperimi pritet të rikthehet në procesin stërvitor me skuadrën.

Kështu i njëjti nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar Shkëndijën në ndeshjen e së hënës (10.11) kundër Makedonija GJ.P. në Tetovë, pas së cilës ndeshje pason periudha ndërkombëtare për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në ndeshjet eliminatore për kualifikim në Botërorin e vitit 2026. (infOSport.mk)

Leave a Reply