Struga Trim Lum ka pësuar edhe disfatën e dytë në stinorin pranveror, dhe e njëjta erdhi pas disa vendimeve diskutabile të treshes së arbitrëve, duke mos përjashtuar këtë edhe ata që ishin në dhomën VAR, thonë nga Struga Trim Lum.
Sipas tyre, pikërisht një vendim i tyre, kur vendosën për të anuluar golin e tretë të skuadrës së tyre, të shënuar në minutën e 78-të nga Compaore, ndikoi drejtëpërdrejtë në rezultatin final kundër Sileksit.
Në ato momente Struga Trim Lum shënoi për 3:1, por i njëjti u anulua pas patur ndonjë video përsëritje më të detajuar nga ana e dhomës VAR.
Kjo bëri që për herë të parë, edhe trajneri i Struga Trim Lum, Bledi Shkëmbi të flet për punën e arbitrëve, e që realisht nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.
“Patëm dy herë epërsinë, shënuam edhe golin e tretë, por pa asnjë kuptim na e anuluan për pozicion jashtëloje!!! Ishte edhe një penalti e pastërt për ne, por përsëri nuk na e dhanë!!! Goli i dytë i Sileksit ka qenë pozicion jashtë loje dhe VAR-i nuk ndërhyri për ta parë!!! Mendoj që përveç problemeve tona, arbitri na i mohoi fitoren. Nuk jam trajner që merrem me arbitrat, por po bëhen shumë gabime kundër nesh!!!” – u shpreh trajneri Bledi Shkëmbi.
Numri një i bankinës së Struga Trim Lum, dha edhe arsyen e dy disfatave në këtë fillim stinori pranveror: “Dy humbje për këtë vit, mendoj që nuk jemi akoma në maksimumin tonë. Kemi disa probleme fizike me disa lojtarë dhe mendoj që kjo është një nga arsyet!”.
Trajneri Shkëmbi ishte i pakënaqur edhe me kushtet që ofroi fusha në takimin e sotëm. E njëjta me kalimin e kohës, vetëm sa vinte e bëhej më e vështirë për lojë.
“Që të kërkosh lojë profesionale dhe ndeshje shumë të mirë, duhet të kesh edhe kushte, si në stërvitje, si në ndeshje. Patjetër që terreni i stërvitjes, apo edhe i ndeshjes na pengojnë shumë për të dhënë maksimumin tonë.” – përfundoi deklaratën e tij trajneri Shkëmbi, që me plotë bindje thotë se Struga Trim Lum shumë shpejtë do të ju rikthehet fitoreve në kampionat.
Ndeshjen e rradhës kampionale, Struga Trim Lum do ta zhvillojë me 21 shkurt (e shtunë) kundër Pelisterit në Manastir.
