Omeragiç: Provat për ndeshjet të manipuluara së shpejti do bëhen publike!

Gjatë Kuvendit të rregullt vjetor të FFM-së, ku u pasqyrua puna e Këshillit Drejtues dhe Presidentit të kësaj federate, Masar Omeragiç, ky i fundit foli gjithashtu edhe për një temë shumë të nxehtë që ishte shumë aktuale në vitin e parë të mandatit të tij.

Ai nuk la pa prekur edhe indikacionet lidhur me ndeshjet e manipuluara në Ligën e Parë dhe të Dytë, duke pohuar se së shpejti do të dalin me informacione të plota dhe shumë transparente lidhur me të gjithë ata që janë të involvuar në këto raste, e për të cilat Federata e Futbollit në vend, është në komunikim të plotë me institucionet kompetente.

“Kemi marrë informacione zyrtare nga institucionet ndërkombëtare që tregojnë dyshime të caktuara për parregullsi. Këto nuk janë akuza, por janë një sinjal mjaft serioz për të vazhduar deri në fund. Dhe unë them se do të shkojmë deri në fund. Pa kalkulime, pa kompromise.”

“Le ta kenë të qartë të gjithë, se të gjitha materialet e marra nga institucionet përkatëse në lidhje me ngjarje të tilla në futboll aktualisht janë duke u përpunuar, dhe se pas përfundimit të tyre nga strukturat disciplinore, ne do të marrim përsipër t’i bëjmë publike ato.”

“Gjithashtu ua bëjmë të qartë të gjithë atyre që mendojnë se me sulme, obstrukcione dhe presione do të na lëkundin, gabohen rëndë. Ato kohëra kanë përfunduar. Më të zhurmshmit sot janë pikërisht ata që ju konvenonte një sistem pa kontroll. Ata që me vite të tëra kanë funksionuar në mënyrë shumë komfore, pa përgjegjësi. Kjo nuk ekziston më. Kjo është një luftë për futboll të pastërt. Dhe në atë luftë nuk ka kthim mbrapa” – deklaroi Masar Omeragiç.

Leave a Reply