Vardari ka pësuar disfatën e dytë në ndeshjet e stinorit pranveror, teksa sot skuadra e Goce Sedlloskit u mposht nga KF Arsimi në transfertën në Gostivar. Njëjtë sikurse në ndeshjen tjetër që u zhvillua në Shkup midis Makedonija GJ.P dhe Shkëndijës, edhe këtu takimin e vendosi vetëm një gol i shënuar, që në këtë rast ishte pjesë e skuadrës vendase, njofton “infOSport.mk”.
Golin e vlefshëm 3 pikë për KF Arsimin e realizoi spanjolli Markel Goñi Ibarguren, dy minuta para fundit të pjesës së parë.
Për mesfushorin 24-vjeçar, ishte ky goli debutues me fanellën e Arsimit, te e cila skuadër erdhi gjatë merkatos së dimrit nga skuadra qipriote e Achyronas FC.
Ndryshe, takimi i sotëm për Ibarguren, ishte i 5-ti në Ligën e Parë futbollistike të vendit, aty ku tashmë emri i tij qëndron në mesin e golashënuesve.
KF Arsimi me këtë fitore iu hakmorë Vardarit për atë disfatë të thellë 5:1 në startin e stinorit pranveror, por njëkohësisht edhe i dha fund serisë prej 3 disfatave të njëpasnjëshme pa asnjë gol të shënuar.
Për skuadrën nga Çegrani, ishte kjo fitorja e 8-të sezonale, pas së cilës me 29 pikë renditen në pozitën e 8-të, ndërkohë Vardari edhe përkundër kësaj disfate, vazhdon të kryesojë renditjen, mirëpo tashmë me pikë të njëjta me Shkëndijën e Tetovës. (infOSport.mk)
