Liga e Parë Futbollistike duke filluar nga sezoni i ardhshëm do të numërojë vetëm 10 skuadra. Kështu brenda javës në program do të jenë vetëm 5 takime, ndërsa kjo do të mund të lejojë që të gjitha ndeshjet të mund të luhen brenda dy ditëve, apo më saktësisht vetëm gjatë fundjavës, njofton “infOSport.mk”.
Një gjë të tillë pohoi vetë Presidenti i Federatës Futbollistike të vendit, Masar Omeragiç, kjo për faktin se gjatë sezonit aktual kishte ankesa për zhvillimin e ndeshjeve elitare gjatë ditëve të punës, e që realisht ndikonte edhe në numrin e paktë të tifozëve nëpër shkallët e stadiumeve.
“Nga sezoni i ardhshëm, kur do të garojnë vetëm 10 klube, planifikojmë që ndeshjet elitare të zhvillohen vetëm gjatë fundjavës. Në program do të kemi vetëm 5 ndeshje, të cilat do të mund të luhen në orare të ndryshme, përfshirë këtu edhe ndeshje nën dritat e prozhektorëve” – është shprehur Presidenti i Federatës së Futbollit vendor, Masar Omeragiç.
