Një nga arbitrët më me perspektiv të futbollit në vendin tonë, Benjamin Qerimi, së bashku me arbitrin asistent, Boris Trajkov, për disa ditë me rradhë po qëndrojnë në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, në kuadër të programit prestigjioz UEFA Core 63, një nga projektet më të mëdha të Shtëpisë së futbollit europian për zhvillimin e arbitrëve, njofton “infOSport.mk”.
Programi UEFA Core 63 është një lloj akademie për arbitër të rinj dhe premtues, nëpër të cilën kalojnë kandidatë të përzgjedhur nga e gjithë Evropa.
Në edicionin e saj të 63-të, ky program mblodhi përsëri arbitrët më të talentuar, teksa përmes të njëjtit në të kaluarën kishin dalë arbitër elitar të ditës së sotme, si François Letexier dhe Szymon Marcinzak.
Gjatë qëndrimit të tyre në Nyon, pjesëmarrësit patën mundësinë të punonin me instruktorët më të mirë të UEFA-s, të përmirësonin njohuritë e tyre dhe të profesionit të arbitrit, si dhe për t’u njohur me standardet më të larta të arbitrimit në nivel evropian.
Përveç pjesës teorike, theks i rëndësishëm në këtë kurs iu vu edhe përgatitjes fizike, përmes trajnimeve dhe testimeve intensive.
Në kuadër të këtij programi, arbitrëve u caktohen edhe mentorë – instruktorë elitarë të cilët për gjatë gjithë vitit do të monitorojnë zhvillimin e tyre, do të analizojnë ndeshjet e tyre dhe do të ndihmojnë në përmirësimin e performancës së tyre, me qëllim arritjen e nivelit më të lartë të arbitrimit.
Programi UEFA CORE 63, është aktiv që nga viti 2010, ndërsa deri më tani thuajse 300 arbitër dhe asistentë kanë kaluar nëpër të, me ç’rast më shumë se 60 tashmë janë promovuar në listat ndërkombëtare të FIFA-s, gjë që konfirmon rëndësinë dhe besueshmërinë e këtij programi.
Benjamin Qerimi, duke pasur parasysh rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë program, shprehu mirënjohje të madhe për Presidentin e FFM-së, Masar Omeragiç, si dhe për Kryetarin e Komisionit për delegimin e arbitrëve pranë FFM-së, Josip Barton, për besimin dhe mbështetjen e treguar nga ky i fundit.
Qerimi gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetje edhe për Presidentin e LFK – Gazi Babë, Darko Kostovski.
Pjesëmarrja e Benjamin Qerimit dhe Boris Trajkov në programin e UEFA CORE 63 paraqet një hap shumë të rëndësishëm në karrierën e kësaj dyshe, por njëkoohësisht edhe përgjegjësi, dhe një hap i rëndësishëm drejt një karriere të bujshme ndërkombëtare si arbitër.
Njëkohësisht, ky është një tjetër konfirmim i investimeve të Komisionit të arbitrëve në futbollin në Maqedoni në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së arbitrimit. (infOSport.mk)


