Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, e konsideroi si shumë të rëndësishme ndeshjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës.
Në konferencën për shtyp, strategu brazilian tha se përballë kanë një kundërshtarë të fortë, mirëpo edhe përkundër këtij fakti presin një rezultat pozitiv.
“Presim një ndeshje ndryshe, të fortë dhe të vështirë. Të dyja ekipet kemi lojtarë të mirë. Nuk e di ende formacionin që do të hedhim në fushë. Në ndeshjen e kaluar nuk kishim rezultat të mirë, por jemi ekip në rritje. Ukraina ka lojtarë të mirë dhe ka eksperiencë. Edhe ne kemi lojtarë, të cilët kanë dëshirë për të treguar më të mirën me kombëtaren. Nuk di të them si do të jetë ndeshja, por presim një sfidë të mirë. Kemi besim te lojtarët tanë.
Çdo trajner e përgatit ndeshjen njësoj. Ne kemi filluar një muaj më parë. Tani është pak më e lehtë. Kemi parë ndeshje e Ukrainës, në kualifikuese dhe me ne.
Gjuha shqiptare më tingëllon e këndshme. Sa i përket gjuhës ukrainase, kisha një shok skuadre, që fliste atë gjuhë. Më dukej e vështirë për tu kuptuar, por e ëmbël.
Gjeja kryesore që e bën të lumtur një trajner, por nëse do rezultate në vazhdimësi, duhet performancë e mirë. Nëse e humbasim ndeshjen, do jem i mërzitur, nëse fitojmë lumturohem. Rezultati është i rëndësishëm sepse luan me kombëtaren. Fokusi është edhe te lojtarët e rinj, që nuk kanë pasur mundësi në ndeshjet e kaluara.”, deklaroi Silvinjo.
