Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë vazhdon përgatitjet për sfidën e radhës, ndeshjen në transfertë kundër Republikës së Irlandës, që në program është nesër (31 mars).
Pas disfatës ndaj Danimarkës, i gjithë fokusi tashmë është përqëndruar te ekipi kombëtar irlandez.
Në prag të këtij takimi që do të zhvillohet në Dublin, ka folur mbrojtësi Gjoko Zajkov, i cili tha se skuadra mësoi nga ndeshja e mëparshme dhe se çelësi do të jetë te stabiliteti mendor gjatë gjithë ndeshjes.
“Danimarka është një kundërshtar vërtetë shumë cilësor. Ne luftuam mirë në pjesën e parë dhe u përpoqëm të mbyllnim të gjitha pozicionet. Fatkeqësisht, në pjesën e dytë, përqendrimi ynë ra dhe pësuam golat”
“Pas analizës, është e qartë se pati një rënie të papritur pas golit të parë. Ky është një segment mbi të cilin duhet të punojmë, kur pësojmë një gol, që të mos rrëzohemi si ekip, por të ngrihemi dhe të reagojmë më mirë.”
“Tani jemi plotësisht të përqendruar tek Irlanda. Nuk ka miqësore, luajmë çdo ndeshje për të fituar. Duam t’i tejkalojmë të gjithë dhe të tregojmë cilësi, siç dinim të bëjmë edhe më parë.”
“Është gjithashtu shumë e rëndësishme nga pikëpamja psikologjike të reagojmë pas humbjes kundër Danimarkës. Me një rezultat të mirë, mund ta lëmë pas atë ndeshje më shpejt dhe të dukemi më mirë në sfidat e ardhshme dhe ndeshjet kualifikuese”. – është shprehur mbrojtësi Zajkov, i cili së bashku me Visar Musliun, sërish pritet të përbëjnë dyshen në qendër të mbrojtjes në ndeshjen kundër Republikës së Irlandës.

