Maqedonia U21 mundi Armeninë në transfertë, Latifi shënon një super gol (VIDEO)

Përfaqësuesja e Maqedonisë U-21 i ka dhënë fund serisë së rezultateve negative, duke shënuar fitore në transfertën kundër Armenisë. 2:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në Jerevan, e që ishte fitorja e dytë në këtë cikël kualifikues.

Të përzgjedhurit e trajnerit Goran Staniç luajtën me mjaft pjekuri dhe disciplinë, duke treguar më shumë cilësi në fushë dhe me meritë arritën deri tek 3 pikët e plota.

Një gol në secilën pjesë ishte i mjaftueshëm për fitoren e dytë në kuadër të kualifikueseve, dhe gjithashtu të parën pas një serie prej katër disfatave të njëpasnjëshme.

Maqedonia U-21 mori iniciativën që nga fillimi dhe parajmëroi një qasje ofensive. Trajkov u kërcënua në fillim të ndeshjes, por portieri kundërshtar Matinjan ishte në nivelin e duhur.

Gjatë pjesës së parë, Staniç u detyrua të bënte një zëvendësim, për shkak të dëmtimit të Durakov, dhe zëvendësuesi i tij, Martin Gjorgievski, rezultoi të ishte një faktor kyç.

Ai solli epërsi pak para pushimit, duke shfrytëzuar një penallti, pasi Danev u ndal në mënyrë të palejuar në zonën e rrezikut.

Me këtë gol të shënuar nga Gjorgievski, shpresat futbollistike të vendit i dhanë fund gjithashtu një serie negative që kishte zgjatur pothuajse 300 minuta.

Në pjesën e dytë, Armenia  u përpoq të merrte iniciativën, por mbrojtja e Maqedonisë U-21 funksionoi në mënyrë të besueshme dhe të organizuar.

Rezultati përfundimtar u vendos në minutën e 76-të, kur, pas një asisti nga Memetriza Hamza, mesfushori ofenziv Admir Latifi realizoi një solo aksion të shkëlqyer, që u kurorëzua edhe me golin e dytë, për rezultat 0:2.

Në fund të takimit, armenët patën një mundësi shumë të mirë për të shënuar golin e nderit, mirëpo portieri Xhekov shpëtoi portën me një ndërhyrje të sigurt.

Sfida e radhës për Maqedoninë U-21 do të jetë në muajin tetor, kur në Shkup do të mirëpresin ekipin kombëtar të Malit të Zi.

Leave a Reply