E mërkura është e servuar për ndeshjen e madhe çerekfinale të Kupës së Maqedonisë midis Struga Trim Lum dhe Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.
Është kjo ndeshja e fundit e kësaj faze, pas së cilës një vend për në gjysmëfinale siguruan dy skuadrat kryesuese në Ligën e Dytë, GFK Ohrid dhe Shkëndija e Haraçinës, si dhe Sileksi.
Skuadra nga Kratova në gjysmëfinale do të përballet me GFK Ohrid, ndërsa Shkëndija e Haraçinës do të mirëpret fituesin nga përballja e sotme midis Struga Trim Lum dhe Shkëndijës së Tetovës.
Është kjo hera e tretë në histori që këto dy skuadra do të përballen me njëra tjetrën në kuadër të ndeshjeve të Kupës. Për herë të parë, Struga Trim Lum dhe Shkëndija e Tetovës ishin takuar gjatë vitit 2021, po në fazën çerekfinale, ndërsa gjithashtu janë takuar edhe edicionin e kaluar, mirëpo këtë herë në kuadër të ndeshjeve gjysmëfinale.
Pas dy ndeshjeve të zhvilluara, Struga Trim Lum me një fitore dhe një barazim dhe gol-averazh 3:2, siguroi finalen e madhe, duke e eliminuar Shkëndijën.
Ndeshja e sotme midis Struga Trim Lum dhe Shkëndijës do të jetë e 23-ta në histori dhe e katërta në kuadër të ndeshjeve të Kupës.
Struga Trim Lum numëron 9 fitore, kundrejt 7 fitoreve të Shkëndijës, derisa 5 ndeshje janë mbyllur me barazime.
Vlen të theksohet se Shkëndija nuk ka fituar asnjë ndeshje në Strugë, aty ku do të zhvillohet edhe takimi i sotëm me fillim në ora 14:30. (infOSport.mk)
