Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë nesër mbrëma me fillim në ora 20:45 në Dublin do të përballet me Republikën e Irlandës, dy përfaqësuese këto që humbën mundësinë të luajnë në finalen e madhe të ndeshjeve të “play-off” për një vend në Botërorin e këtij viti që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, shkruan “infOSport.mk”.
Trajneri Goce Sedlloski në Konferencën për shtyp para gazetarëve tha se ekipi edhe përkundër zhgënjimit, do të duhet që të ketë motivimin në nivelin më të lartë, pasi paraqitja me fanellën e ekipit kombëtar mbartë gjithmonë një peshë të veçantë.
“Çdo disfatë dhemb, këtë nuk e mohojmë. Ende e ndiejmë zhgënjimin nga ndeshja me Danimarkën, por vazhdojmë të mbetemi të qetë dhe të përqendruar. Puna gjatë seancave stërvitore është në nivelin më të lartë, ndërsa puna jonë është që të reagojmë shumë më mirë në fushë. I kemi analizuar mangësitë dhe tani u takon lojtarëve të japin më të mirën. Jam veçanërisht i kënaqur me frymën e ekipit që mbretëron në dhomën e zhveshjes.
Kundër Irlandës do të duhet të tregojmë karakter, disciplinë dhe forcë në duele. I ndoqëm performancat e tyre të fundit, kundër Republikës Çeke ishin fizikisht dominues dhe agresivë në duelet ajrore, ndërsa kundër Hungarisë demonstruan edhe cilësi teknike. Presim një sfidë serioze.
Planifikoj të bëj rotacion dhe t’u jap shansin disa lojtarëve të rinj, të cilët besoj se ata do ta justifikojnë besimin. Dua të theksoj se ekipi kombëtar është i hapur për të gjithë, të gjithë vendosin vetë nëse do ta veshin këtë fanellë. Ne luajmë për Maqedoninë, jo për individë”, – tha Sedloski.

