Juventus Serava për të dytin vit rradhazi eliminohet në gjysmëfinale të Kupës!

KFV Juventus Serava është eliminuar në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë në futsal, pasi sonte në Veles u mund nga Kegi Mobi pas ekzekutimit të penaltive, kjo pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 4:4, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i ndeshjes nuk doli të jetë i mbarë për “bardhezinjtë” nga Serava, të cilët ishin në disavantazh prej 3 golave, 4:1.

Megjithatë, edhe përkundër këtij disavantazhi, Juventus Serava gjeti forcë për tu rikthyer dhe për të barazuar rezultatin në 4:4.

Një rikthim që flet për zemrën, besimin dhe shpirtin e kësaj skuadre, për të cilën gjatë kohës së rregullt dy gola shënoi Qendrim Abazi, derisa nga një gol tjetër shtuan Furkan Shabani dhe Omer Osmani.

Fatkeqësisht, penaltitë vendosën fatin e këtij takimi dhe fitoren e Kegi Mobi në fund me shifrat 5:4. Pas finalizimeve të sakta të Qendrim Abazit, Furkan Shabanit, Shefki Berishës dhe Armando Alijeviq, i vetmi që nuk shënoi në serinë e fundit, ishte Ismail Abdullahu.

Është ky sezoni i dytë radhazi që Juventus Serava eliminohet në fazën gjysmëfinale të Kupës, garë në të cilën kjo skuadër kishte triumfuar në sezonin 2017/18. (infOSport.mk)

Leave a Reply