Juventusi dhe Lacio do të përballen për herë të tretë në shtatë vitet e fundit në finalen e Superkupës së Italisë. Finalja e së dielës do të luhet në kryeqendrën arabe, Riad, me fillim në ora 17:45.
Risia e madhe në këtë ndeshje do të jetë uniforma e kampionëve të Italisë. Numrat dhe emrat e lojtarëve të “Zonjës së Vjetër” do të jenë në gjuhën arabe.
“Do të jetë një fanellë e veçantë, ajo me të cilën Juventusi do të luajë në finalen e Superkupës kundër Lacios. Kjo është projektuar në bashkëpunim me Shaker Kashgari, artistin e famshëm të kaligrafisë saudite-marokene. Vendosëm kështu për të nderuar një formë tradicionale të artit. Klubi ynë demonstron se është afër gjithë tifozëve nga e gjithë bota dhe befason sërish me një uniformë unike“, theksohet në komunikatën e skuadrës kampione të Italisë.
Pas një kohe më të gjatë te Juventusi është rikthyer kapiteni Xhiorxhio Kielini, i cili ka lënë pas vetes dëmtimin e rëndë në fillim të sezonit.