Kumanova mundi Pejën dhe kualifikohet në finalen e Ligës Ballkanike

Basketbollistët e Kumanovës kanë siguruar një vend për në finalen e madhe të Ligës Ballkanike, pasi në gjysmëfinale në një ndeshje dramatike mposhtën Pejën nga Kosova, me rezultatin 86:80, duke përmbysur rezultatin nga ndeshja e parë në Pejë, kur pejanët kishin triumfuar me rezultatin 83:79, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra nga Kosova ishte më e mirë gjatë pjesës së parë, duke shkuar në pushim me 7 pikë epërsi, (37-44), mirëpo në pjesën e dytë basketbollistët e Kumanovës u ringjallën në parket dhe arritën deri tek epërsia e dëshiruar prej 6 pikëve.

Kumanova iu afrua pas çerekut të tretë Pejës në 4 pikë, ndërsa 4 minuta para fundit të takimit ata arritën epërsinë e dëshiruar, 75:70, me të cilën shihnin veten në finalen e madhe. Megjithatë Peja nuk u dorëzua dhe arriti që të barazojë rezultatin në 80:80, mirëpo në minutën fundit të takimit ndodhi e papritura për skuadrën pejane.

Karaxhovski ishte i saktë në dy goditjet e tij të lira, që më pas edhe Pekoviç të shënojë një dyshe, ndërsa për delirium të vërtetë në palestrën e qytetit të Kumanovë u përkujdes Zhivanoviq, i cili realizoi një dyshe në çastet e fundit që i siguruan Kumanovës finalen e madhe, shkruan “infOSport.mk”.

Marjan Janeski me 21pikë e 6 kërcime shkëlqeu te skuadra e Kumanovës, ndërsa me lojë të mirë u dallua edhe Jonel Braun që këtë ndeshje e mbylli me 20 pikë.

Në anën tjetër te Peja që në këtë ndeshje luajti me mungesa të mëdha (i munguan Tillotson, Rundles e Skeen), Slobodan Miljaniç me 21 pikë ishte më efikasi, derisa nuk mungoi edhe ndihma e Noah Dahlman që realizoi 20 pikë dhe Alban Veselit që këtë takim  e mbylli me  18 pikë.

Në finalen e madhe Kumanova do të përballet me ekipin bullgar të Beroe që në gjysmëfinalen e parë eliminoi Teodon.

 

Leave a Reply