Hamilton siguron “pole-position” në Silverstoun

Britaniku Luis Hamilton ka arritur kohën më të mirë në provat zyrtare të garës së 10-të të këtij edicioni në kuadër të Botërorit të Formula 1, që u zhvillua në pistën Silverstoun.

Hamilton e ndali kohën në 1:26.600 në xhiron më të shpejtë të ditës, duke marë “pole position-in” e radhës, i 5 në këtë cirkuit.

Kohën e dytë më të mirë e arriti Kimi Raikkonen, duke lënë pas vetes Sebastian Vettel, ndërsa i katërti në këtë pistë u ndal, Valtteri Bottas, i cili megjithatë në garën e nesërme kryesore do të niset si i 9-ti, pas dënimit me 5 pozicione për shkak se ndërroi kambion të premten.

Maks Verstappen vendosi kohën e pestë më të mirë, por do e fillojë garën në reshtin e dytë, për shkak të penalitetit të Bottas, ndërsa nga reshti i tretë do të nisen Niko Halkenberg dhe Serhio Perez.

Me këtë “pole position”, Luis Hamilton numëron 67 gjithsej në karrierën e tij dhe është vetëm 1 “pole” larg rekordit të ngasësit legjendarë të Ferarit, Mihael Shumaher. Gara për Çmimin e Madh të Britanisë në program është nesër me fillim në ora 14:00.

 

Leave a Reply