E dëshironte edhe Maqedonia, por për Ahmedin ka vetëm një kombëtare, ajo “kuq e zi”

Valon Ahmedi, sot morri një super lajm, ftesën nga ana e seleksionuesit të ri të Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi, për të qenë pjesë e “kuqezinjëve” në dy përballjet e rradhës në kuadër të eliminatoreve për Botërorin Rusi 2018-të, që Shqipëria do ti zhvillojë kundër Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë.

Mesfushori 22-vjeçar ka lindur në Ohër të Maqedonisë, qytetin turistik me shumë pak shqiptarë, në krahasim me qytetet e tjera në vendin tonë, por që i ruan me fanatizëm rrënjët dhe gjakun e tij.

Për të interes kishte edhe nga përfaqësuesja e Maqedonisë, por siç e thotë edhe vetë ai në intervistën për “Supersport”, ai në asnjë momente nuk ka pasur dyshim se cilën fanellë do të vishte.

“Kam lindur në Ohër, por jam shqiptar dhe me shumë kënaqësi zgjodha Shqipërinë. Ishte dëshira ime, por sidomos e prindërve të mi që unë të luaj për Shqipërinë. Kam pasur presion nga Maqedonia, por e kam bërë zgjedhjen time dhe për këtë ndihem shumë krenar. E kam nder që jam pjesë e kombëtares kuqezi, dhe nëse trajneri do të më japë minuta, do të jap maksimumin. Kam zgjedhur me zemër”, – tha futbollisti 23-vjeçar i Mariborit, i cili vetëm dy ditë më parë me skuadrën e tij arriti një sukses të madh, duke siguruar një vend për në grupet e Ligës së Kampionëve Evropian.

Ahmedi mund të debutojë me fanellën “kuqezi” që në ndeshjen e 2 shtatorit kundër Lihtenshtejnit, teksa gjithashtu ka gjasa që të luaj edhe në tokën ku ka lindur, në përballjen ndaj Maqedonisë, ndeshje kjo që në program është me datë 05 shtator në Strumicë.

Rikujtojmë Valon Ahmedi ka luajtur edhe me kombëtaren U-21 dhe atë U-19 të Shqipërisë.

Leave a Reply