Dhuna në futbollin kosovar, dje u sulmua edhe arbitri Genc Nuza

Ndeshja e javës së 11-të në Superligën kosovare, midis Dritës dhe  Trepçës ’89 është shoqëruar edhe me një incident që mund të kishte marrë përmasa të mëdha.

Sipas asaj që raporton “korneri.net”, me të përfunduar ndeshja, arbitri i ndeshjes, Genc Nuza u qëllua në kokë nga tifozët me sende të forta, të cilët u vërsulën edhe në drejtim të fushës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë dhe Njësisë Speciale, Nuza shpëtoi pa ndonjë rrezik të madh, edhe pse tensionet vazhduan edhe më tej. Arbitri ka qëndruar për shumë minuta në dhomat e xhveshjes deri sa gjendja u qetësua.

Takimi në fjalë u mbyll në shifrat 1:1, edhe pse skuadra mitrovicase pati shansin të fitonte ndeshjen pasi fitoi penallti në minutën 90, por sulmuesi Florent Hasani gaboi duke i hequr fitoren nga duart ekipit të tij.

Po në ndeshjet e djeshme të Superligës së Kosovës u regjistrua edhe një incident më i madh, kur një tifoz i Flamurtarit u fut brenda në fushë dhe me shufër metalike goditi dy futbollistë të Vëllaznimit të Gjakovës, të cilët në ato momente po festonin golin e barazimit të shënuar nga ana e portierit të tyre, Muhaxhiri në minutën e fundit të takimit.

Leave a Reply