Federer, pas 5 viteve rikthehet në krye të tenistëve të botës!

Tenisti zviceran Roger Federer ka mundur 2-1 holandezin Robin Haase në çerekfinalet e turneut të Roterdamit (4-6, 6-1, 6-1). Por ky sukses i zviceranit është shumë i veçantë, pasi nga dita e hënë, Federer do të jetë zyrtarisht “Numri 1” në botë për meshkuj, duke u bërë tenisti më i vjetër në moshë që arrin këtë rezultat. Një arritje fantastike e Federer, që kap sërish majën e renditjes botërore në moshën 36-vjeçare e 6 muaj, duke kaluar në këtë klasifikim ikonën Andre Agassi (33 vjeç e 131 ditë).

Federer rikthehet “Numri 1” në botë pas më shumë se 5 vitesh. Ai parakaloi në renditje mikun e rivalin e tij Rafael Nadal, që tashmë ka zbritur në vendin e dytë.

“Jam shumë i lumtur për këtë rezultat, që rikthehem numri 1 pas kaq vitesh, në këtë moshë. Ka qenë një vit fantastik, rezultate që nuk i kisha imagjinuar. Ju falënderoj për mbështetjen, pasi ju më keni inkurajuar që të vazhdoj të luaj ende”, u shpreh Roger Federer në ceremoninë organizuar pas ndeshjes. (Telesport)

Leave a Reply