Tairi: Ti gëzojmë tifozët tanë me fitore ndaj Labunishtit

Nesër në kuadër të Ligës së Dytë – Perëndim, në program është derbi strugan midis Struga Trim Lum dhe Labunishtit, njofton “infOSport.mk”. Është pa dyshim kjo ndeshja më interesante e javës së 21-të, në të cilën skuadra vendase e Struga Trim Lum shpreson në fund të dalë fituese dhe të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt objektivit, inkuadrimit në Ligën e Parë.

Kapiteni i tyre, Flamur Tairi në një prononcim për “infOSport.mk” tha se nuk i intereson aspak seria prej 14 ndeshjeve pa disfatë e Labunishtit, pasi pikërisht nesër Struga Trim Lum do t’ia ndërpresë këtë seri dhe se në fund bashkë me tifozët e tyre të flaktë do të festojnë tre pikëshin.

“Do të jetë një ndeshje e mirë, ku pritet të ketë shumë interes nga publiku strugan edhe më gjërë. Ne e vlerësojmë serinë e tyre pa humbje, por besoj dhe shpresoj  që nesër ta ndërpresim serinë e tyre dhe të marrim 3 pikët e planifikuara dhe të gëzojmë tifozët tanë. Neve në ndeshjen e nesërme na intereson vetëm fitorja dhe asnjë rezultat tjetër. Shpresojmë që deri në fund të sezonit të kemi rezultate të mira, të arrijmë objektivat e klubit që tashmë janë të ditura që synojmë ligën e parë” – tha enkas për “infOSport.mk”, Flamur Tairi.

Aktualisht Struga Trim Lum me 36 pikë mban pozitën e katërt në  renditje, teksa Labunishti me një pikë më pak renditet në pozitën e 5-të. Në ndeshjen e parë të zhvilluar si vendas, Struga Trim Lum kishte mundur Labunishtin me rezultatin 2:0 falë golave të shënuar nga Altin Lloga dhe Ljupço Trpeski, teksa ndeshja e zhvilluar në fushën e Labunishtit ishte mbyllur me barazim pa gola.

Leave a Reply