Klivlendi dhe Bostoni vetëm edhe një fitore larg finales në Lindje

Klivlend Kavaliers dhe Boston Selltiks kanë vazhduar efektin e qindpërqindtë në ndeshjen gjysmëfinale të Konferencës së Lindjes, duke shënuar edhe fitoret e treta nga po aq përballje kundër kundërshtarëve të tyre, Toronto Reptors, gjegjësisht Filadelfias, njofton “infOSport.mk”.

Klivlendi shënoi fitore 105:103 ndaj Reptors, ku skenën e rrëmbeu i zakonshmi LeBron Xhejms, që këtë ndeshje e mbylli me 38 pikë, 7 asiste dhe 6 rikuperime. Finalistët e sezonit të kaluar imponuan ritmin që në periudhën e parë, duke marrë kryesimin që në start, për të shkuar deri plus 17 pikë në fillim të periudhës së tretë, por kanadezët reaguan me dinjitet në periudhën e fundit, duke arritur madje të barazonin rezultatin në 103:103 falë trepikëshit të Anunoby 8 sekonda para rënies së sirenës për përfundimin e kohës ë rregullt.

Por kur fatin e ndeshjes e merr në dorë “Mbreti” Xhejms, askush nuk mund ta ndalë. Lebron nisi aksionin e fundit nga gjysmëfusha e tij, futet në zonë dhe lëshon një trajektore të lartë që, pasi përplaset në tabelë, përfundon në kosh. Të gjithë shkojnë të përqafojnë “jashtëtokësorin” e “Kavaliersave”, ndërsa publiku vendas shpërthen në ovacione pas një tjetër perlë të Xhejms.

Kualifikimi në finale të Lindjes duket formalitet tashmë për Klivlendin, pasi në historinë e NBA-së, asnjë skuadër nuk ka arritur të përmbysje disavantazhin 3-0 të serisë në gjysmëfinale.

Po kaq emocionuese ishte edhe sfida midis Filadelfias dhe Bostonit, ku fituesi u përcaktua pas kohës shtesë, pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 89:89, që në fund Bostoni të fitoj ndeshjen me rezultatin 98:101.

Ishte kjo një ndeshje krejtësisht e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që shkëmbyen kryesimin të paktën 10 herë gjatë ndeshjes.

Tatum dhe Rozier ishin më të mirët tek “selltiksat”, duke realizuar 24, gjegjësisht 19 pikë, ndërsa tek Filadelfia nuk mjaftoi as Embiid, i cili ndeshjen e mbylli me 22 pikë.

 

Leave a Reply