Lamtumira emocionale e Iniestas: “Erdha fëmijë, po largohem si burrë”

Një lamtumirë emocionale e Andres Iniesta nga Barcelona u përcoll me shumë lot, teksa kapiteni mbajti një fjalim në “Kamp Nou”, pasi luajti ndeshjen e tij të fundit me skuadrën “katalunase”.

Kampionët e La Liga-s e përfunduan sezonin e tyre me fitore minimale 1:0 ndaj Real Sociedad, por kjo u eklipsua e gjitha nga fakti se Iniesta zyrtarizoi largimin nga Barcelona të dielën në mbrëmje.

Mesfushori 34-vjeçar e uli perden e karrierës së tij të shkëlqyeshme te Barcelona në minutën e 81-të, kur u largua nga fusha nën duatrokitjet e zjarrta, pasi i dha dorën e kapitenit të ri të skuadrës, Lionel Messi.

Pas ndeshjes dhe momenteve tejet emocionale, 9 herë kampioni i La Liga-s dhe 4 herë fituesi i Ligës së Kampionëve, Iniesta, iu drejtua tifozëve.

“Sot është një ditë e vështirë, por kanë qenë 22 vite të mrekullueshme. Është krenari dhe kënaqësi për të mbrojtur dhe për të përfaqësuar këtë fanellë-simbol për mua, të skuadrës më të mirë në botë”, – tha Iniesta, i cili debutimin e tij me ekipin e parë katalanas e bëri në vitin 2002.

“Ju faleminderit tifozëve, për gjithë dashurinë e tyre, për gjithçka që më keni bërë të ndihem, sepse kam ardhur këtu si fëmijë dhe po largohem si burrë. Jam i kënaqur me të gjithë shokët e skuadrës sime, do t’ju mbaj në zemrën time përgjithmonë. Për të përfunduar, këtë javë më keni lënë pa fjalë. Rroftë Barça, rroftë Katalonja, rroftë Fuentealbilla (qyteti i tij i lindjes)”.

Mesfushori legjendar i Barcelonës thuhet se është duke u bashkuar me Vissel Kobe në “J.League” të Japonisë.

Leave a Reply