KB “Rusi 2018” do të përfaqësohet me 5 futbollistë shqiptarë

Me 14 qershor starton Kampionati Botëror “Rusi 2018”, event ky në të cilin do të marrin pjesë pesë futbollistë shqiptarë, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për 4 futbollistë që do të përfaqësojnë Zvicrën dhe një tjetër që do të luaj me Belgjikën.

Shqiptarët e Zvicrës do të udhëhiqen nga Valon Behrami, i cili deri më tani ka zhvilluar plotë 77 ndeshje me fanellën e kombëtares “helvete”.

Futbollisti me origjinë nga Mmitrovica e Kosovës që aktualisht luan me Udinezen në “Serie A”, pritet të luaj në mesfushë bashkë edhe me tetovarin, Blerim Xhemaili, një tjetër futbollist ky që së fundmi luante në elitën e futbollit italian me ekipin e Bolonjas.

Mesfushori tetovar, është njëri ndër mesfushorët më me përvojë tek Zvicra, për të cilën kombëtare ka zhvilluar 63 ndeshje, duke realizuar edhe 10 gola.

Një tjetër shqiptarë që do të manovrojë në mesfushën e “helvetëve” do të jetë ai i Arsenalit, Granit Xhaka, i cili edhe përkundër një lëndimi të marrë në një nga stërvitjet e fundit me ekipin, do të jetë i gatshëm për të ndihmuar kombëtaren zviceriane në arritjen e objektivave në këtë Botëror.

Xhaka vlerësohet si një ndër motorët e mesfushës te Zvicra, për të cilën deri më tani ka zhvilluar 61 ndeshje, duke realizuar edhe 9 gola.

Ndërkohë ylli i zviceranëve i cili pritet të jetë rreziku kryesor për ekipet kundërshtare, pa dyshim se është Xherdan Shaqiri. Gjilanasi me Zvicrën ka luajtur 68 ndeshje zyrtare ku ka shënuar 20 gola, transmeton “infOSport.mk”.

I vetmi futbollistë shqiptarë i cili merr pjesë në Botërorin e Rusisë dhe nuk është pjesë e Zvicrës është Adnan Januzaj, i cili është grumbulluar me përfaqësuesen e Belgjikës. Mesfushori 23-vjeçar nga Istogu i Kosovës, ka zhvilluar 7-të ndeshje me fanellën e Belgjikës.

Ndër futbollistët pretendentë shqiptarë që mbetën jashtë këtij eventi të rëndësishëm futbollistik, janë edhe Albian Ajeti dhe Admir Mehmedi, që ishin në listën e zgjeruar të Kombëtares së Zvicrës, si dhe Shkodran Mustafi, që nuk morri ftesë nga ana e seleksionuesit të Gjermanisë, Joakim Lëv.

Leave a Reply