Ertan Demiri “team manager” te FC Shkupi

Skuadra e FC Shkupit përveç afrimit të parë të bujshëm që bëri gjatë ditës së mërkurë kur prezantoi mesfushorin me tipare sulmuese, Muarem Muarem, si dhe vazhdimit të kontratave me pjesën më të mirë të skuadrës, njëkohësisht ka arritur të angazojë kuadro edhe në menaxhmentin sportiv, njofton “infOSport.mk”.

Në këtë aspekt skuadra nga Çairi është me një emër të dëshmuar në fushën e futbollit, duke emëruar si “team menager”, Ertan Demirin.

Ky emër për shumicën e shkupjanëve, e në veçanti tifozëve të FC Shkupit është shumë i njohur, pasi ai në të kaluarën ka bartur fanellën e skuadrës nga Çairi, kur kjo skuadër garonte nën emrin Slloga Jugomagnat.

Ai kishte një karrierë të pasur futbollistike duke lozur shumë kohë edhe në Superligën shqiptare me skuadrat si Besa Kavajë, Vllaznia dhe së fundmi Partizani, pastaj në Europë kishte luajtur në Belgjikë me skuadrën e Lokeren, ndërsa kishte luajtur një periudhë edhe në Arabinë Saudite, duke mbajtur veshur fanellën e Al Tavon, transmeton “infOSport.mk”.

Ndërkohë sa i përket karrierës së tij si futbollist në Maqedoni, ai kishte qenë pjesë e skuadrave më me emër, edhe atë Slloga Jugomagnati, tashmë FC Shkupi, Rabotniçki, Vardari, Shkëndija, Metalurgu dhe Teteksi.

Sezonin e kaluar ai ishte pjesë e skuadrës kosovare të Trepça 89 nga Mitrovica, ku ushtronte detyrën e drejtorit sportiv.

Leave a Reply