Pas Kaliniç, edhe një tjetër sulmues i Milanit transferohet në Spanjë!

Pasi Milani gjatë ditës së sotme vendosi të shesë Nikola Kaliniçin te Atletiko Madridi, “rossonerët” janë rrugës për të shitur edhe sulmuesin e dytë drejt Spanjës, njoftojnë mediat madrilene.

Bëhet fjalë për reprezentuesin e Portugalisë, Andre Silva, i cili pritet që ti bashkohet Seviljës.

Sipas “AS” që të dy klubet kanë arritur marrëveshje për huazimin e futbollistit deri në fund të sezonit, teksa “Marca” shkruan se bëhet fjalë për një transferim në vlerë prej 20 milion euro.

22-vjeçari Silva te Milani erdhi verën e vitit 2017-të, ndërsa për shërbimet e tij “milanezët” Portos i kishin paguar 38 milion euro. Ai me fanellën e Milanit ka regjistruar 40 ndeshje, duke realizuar 10 gola, 8 prej të cilëve në ndeshjet e Liga Europa.

Leave a Reply