Jakup Ramadani debuton me gol te Velesi

Një ndër talentët më të mëdhenj të vendit në futbollin në palestër, Jakup Ramadani, debutimin e tij në një ndeshje zyrtare me fanellën e Velesit e ka kurorëzuar me gol, njofton “infOSport.mk”.

Ish lojtari i Juventues Seravës që këtë verë u transferua te skuadra kampione e vendit shënoi një gol në fitoren 10:3 të KMF Velesit ndaj skuadrës irlandeze të Futsamba Naas. Ai shënoi golin e 9-të në minutën e fundit të takimit, ndërsa gjithashtu kishte edhe disa raste shumë të mira, madje duke goditur edhe shtyllën në një rast.

Ndryshe Velesi e dominoi ndeshjen që nga fillimi, ndërsa pjesën e parë e mbylli me rezultatin 4:1. Dimçe Andov ishte më efikasi te Velesi duke shënuar tre gola, nga dy gola realizuan Darko Rangotov dhe Martin Todorovski, ndërsa nga një gol përveç Ramadanit, shtuan edhe Aleksandar Gligorov dhe Antonio Petrovski.

Ndeshjen e dytë në kuadër të raundit preliminar të Ligës së Kampionëve në grupin “E”, Velesi do ta zhvillojë sonte kundër ekipit të Kosmos Talin nga Estonia me fillim në ora 20:00, ndërsa në ndeshjen e parë të ditës së sotme, Futsamba Nass do të përballet me ekipin e Valeta nga Malta. Këta të fundit mbrëmë në kuadër të javës së parë mundën ekipin e Kosmos Talin me rezultatin 4:2.

Ndeshjet e xhiros së tretë në kuadër të grupit “E”, kur Velesi do të përballet me maltezët e Valeta dhe Kosmos Talin me Futsamba Naas, në program janë me datë 01 shtator, kur edhe përfundimisht do të vendoset emri i ekipit fitues, që do të ketë të drejtën të luaj në raundin kryesor të garave, që në program janë nga data 2 deri me 7 tetor. Të gjitha ndeshjet e këtij raundi preliminar zhvillohen në palestrën e vogël të “Jane Sandanskit” në Aerodrom të Shkupit.

Foto: Petar Stojanovski

Leave a Reply