Super-Ikardi, i jep fitoren Interit ndaj Spalit

Me Mauro Icardin në fushë, Interi gjen gjithmonë rrugëzgjidhje. Sulmuesi argjentinas ishte vendimtar me dy golat e ti për zikaltrit në transfertën me Spalin, që rezultoi edhe më e vështirë se ç’ishte parashikuar. Skuadra e Spalletit gjithsesi fitoi 1-2, falë Mauritos, që po udhëheq ekipin në momentet më delikate.

Vetëm 14 minuta lojë i mjaftuan Interit për të kaluar ne epërsi pikërisht me Icardin, që shfrytëzoi pasimin e Vrsaljkos për ta devijuar topin në rrjetë.

Spalit iu dha një mundësi e mirë për të barazuar me 11-metërsh në të 18-tën, por Antenucci gaboi.

Në pjesën e dytë, atëherë kur pritej që zikaltrit t’u jepnin goditjen përfundimtare vendësve, Paloschi realizoi golin e barazimit, duke lëvizur bukur në shtyllën e dytë.

Barazimi 1-1 qëndroi në fuqi për pak minuta, sepse Icardi, i shërbyer nga Perisic, shënoi golin e fitores me milanezët në minutën e 78-të. Ky ishte suksesi i katërt radhazi për Interin në Serinë A, ndërsa Spali pësoi humbjen e katërt në seri.

Leave a Reply