Barcelona harron të fitojë në La Liga, barazim edhe me Valencian

Barazimi 1-1 në “Mestalla” mes Valencias dhe Barcelonës ka shënuar thellimin e krizës në kampin katalanas, me ekipin blaugrana që harron të fitojë. Plot katër ndeshje pa fitore në La Liga për kampionët në fuqi, të cilëve nuk u ka mjaftuar këtë të dielë as lideri Lionel Messi. Në të vërtetë, Barcelona edhe këtë barazim e arriti pasi më parë e pa veten në disavantazh. Ishte Garay ai që në minutën e 2’ i dha avantazhin Valencias. Barcelona ka barazuar vetëm në të 23’ me kapitenin dhe yllin e saj, Messi. Pas këtij barazimi Barcelona renditet në vendin e dytë, në kuotën e 15 pikëve, një më pak se Sevilla e vendit të parë. Nga ana tjetër, Valencia në kuotën e 9 pikëve në tetë ndeshje renditet në vendin e 13-të.

Pas një fillimi të sezonit disi hezitues, skuadra e Valencias vinte në këtë përballje shumë pranë fundit të klasifikimit, dhe me statusin e ekipit me më shumë barazime në La Liga, plot pesë të tilla deri para përballjes së të dielës ndaj Barcelonës. Por edhe nga ana tjetër, skuadra e Barcelonës paraprihej nga një moment i errët, mbase gati gati të paprecedentë, pasi në katër ndeshjet e fundit ekipi blaugrana kishte regjistruar vetëm një fitore, atë ndaj Tottenham, 2-4, të vlefshme për UEFA Champions League. Statistika këto që e jepnin për të mirqënë sfidën shumë të luftuar që u zhvillua në “Mestalla” mes Valencias dhe Barcelonës, me vendasit të gatshëm për gjithçka për të mos u dorëzuar duarbosh, dhe miqtë në domosdoshmëri pikësh dhe ngritje në klasifikim.

Një pjesë e parë shumë intensive e mbyllur në barazim 1-1, me Barcelonën superiore ndaj vendasve.Katalanasit kanë dominuar në zotërimin e topit dhe mbajtën iniciativën praktikisht në pjesën më të madhe të 45 minutave të para. Gjithsesi, edhe Valencia përdori në mënyrën më të mirë të mundshme armët e saj kryesore, duke ia dalë mbanë të krijojë disa raste të rrezikshme në zonën e skuadrës blaugrana. Në fakt ishin pikërisht vendasit ata që e nisën lojën me intensitet të jashtëzakonshëm, aq sa për të kaluar në avantazh që në minutën e dytë të takimit, me golin e shënuar nga Garay, falë një goditje këndi dhe pas gabimit të mbrojtjes katalanase në tentativat për të larguar topin. Valencia pati edhe disa raste të tjera për të thelluar epërsinë, me Kondogbia, Batshuayi, por pa saktësi në finalizim. Dëmtimi i Guedes në të 10’ ftohu disi iniciativën e vendasve, duke ngjallur reagimin e Barcelonës, që me liderin e saj, Messi, nuk vonoi të gjejë golin e barazimit në të 23’.

Edhe pjesa e dytë ka qenë po aq e luftuar, me raste nga të dyja kampet, ndonëse Barça ka vijuar të diktojë lojën me administrimin e topit dhe iniciativat ofensive. Gjithsesi, tentativat kolektive me aksionet e treshes Messi, Coutinho dhe Suarez, apo edhe ato individuale të liderit argjentinas, sado të rrezikshme nuk kanë arritur të tundin rrjetën e portës së Valencias gjatë fraksionit të dytë të lojës. Në kërkim të golit të fitores dhe me qëllimin e implementimit të freskisë në lojë, trajneri i Barcelonës ka aktivizuar edhe Dembele, por pa sukses. Nga ana tjetër, Valencia ka menaxhuar më së miri, jo vetëm lojën defensive, por edhe atë ofensive, duke iniciuar disa tentativa nga krahët, pavarësisht se jo me efikasitetin e nevojshëm për të kërcënuar si duhet portën e katalanasve, duke bërë që ndeshja të mbyllet me rezultatin e barabartë 1-1, të vulosur që në pjesën e parë të takimit.

Leave a Reply