Juventusi në Angli gjen zëvendësuesin e Manxhukiçit

Mediat britanike kanë raportuar pasditen e sotme se klubi torinez ka pikëtuar sulmuesin belg të Mançester Junajtedit, Romelu Lukaku…

Mario Manxhukiç është “lideri i heshtur” i Juventusit, pasi ylli kroat luan ku do trajneri, sakrifikon shumë dhe siç ka treguar në vitet e fundit, shënon gjithnjë e më shpesh gola me peshë për ‘bardhezinjtë’, ashtu siç ka bërë në këtë sezon ndaj Interit e Romës.

Por në fund të këtij sezoni, kroati do të jetë 33 vjeç dhe drejtuesit e klubit ‘bardhezi’ kanë filluar që tani, të mendojnë për të gjetur zëvendësuesin e tij dhe për këtë kanë hedhur sytë nga kampionati anglez.

Mediat britanike kanë raportuar pasditen e sotme se klubi torinez ka pikëtuar sulmuesin belg të Mançester Junajtedit, Romelu Lukaku, si futbollistin ideal që mund të vishet ‘bardhezi’ dhe të zëvendësojë në mënyrën më të mirë kroatin Manxhukiç.

Për belgun, “Djajtë e kuq” paguan rreth 90 milion euro te Evertoni, por ndryshe nga sezoni i kaluar kur shënoi 16 gola në kampionat dhe kontribuoi në renditjen e klubit në vend të dytë, këtë sezon Lukaku nuk po arrin të lërë gjurmë.

Në ndeshjen e parë të Ole Gunar Solskjaer si trajner i Junajtedit, Romelu Lukaku qëndroi në stol, një shenjë kjo se norvegjezi nuk e sheh si titullar, ndaj edhe klubi anglez mund të mirëpresë ofertat në drejtim të tij.

Romelu Lukaku do të mbushë 26 vjeç në maj të vitit të ardhshëm dhe është një futbollist shumë potent, që më herët ka luajtur edhe si sulmues krahu, ndaj edhe mund t’ia dalë të bëjë punën e dyfishtë që bën Manxhukiç te Juventusi.

Leave a Reply