Mançester Siti sërish kampion i Anglisë (VIDEO)

Skuadra e Mançester Sitit edhe për të dytin vit me rradhë është shpallur kampion i Anglisë. Ekipi i Pep Guardiolas në ndeshjen e javës së fundit që vendoste fatin e kampionit, si mysafir me rezultatin 4:1 mundi Brajtonin, skuadër kjo që avansoi e para në këtë ndeshje, duke sjellë shumë gëzim në mesin e tifozëve të Liverpullit në ato momente.

Ishte Marej, ai i cili në minutën e 27-të kishte shtangur Guardiolan dhe tifozët e Sitit, të cilët nuk pritën shumë deri te goli i barazimit, kur vetëm pas 60 sekondave lojë Aguero barazoi në 1:1.

Për herë të parë Siti në epërsi kaloi në minutën e 38-të me anë të mbrojtësit Laporte, ndërsa gjatë pjesës së dytë brenda më pak se 10 minutave, fillimisht Mahrez (63’) dhe më pas edhe Gjundogan (72’), shënuan dy super gola, duke i siguruar në këtë mënyrë fitoren e 32-të sezonale, që njëherit ju siguroi atyre titullin e kampionit para Liverpullit.

Këta të fundit shënuan fitore 2:0 në “Enfilld Roud” përballë Vulverhemptonit, falë “dopietës” së Sadio Mane, mirëpo që kjo fitore nuk mjaftoi që Liverpulli të rikthejë titullin që tashmë i mungon plotë 29 vite.

Në fund me 97 pikë, një pikë më pak se Maçester Siti, skuadra e Jurgen Klop u ndal në pozitën e dytë, Çelzi me 72 pikë në fund u ndalë në pozitën e tretë, duke lënë pas vetes Totenhamin me 71 pikë, ndërkohë Arsenali dhe Mançester Junajtedi e mbyllën në pozitat 5 dhe 6, me 70 pikë, gjegjësisht 66 pikë.

Sezoni i ardhshëm 2019/2020 në Premierligë starton me 10 gusht.

Leave a Reply