Drita Islami theu rekordin 40 vjeçar në vrapin e 400 metrave

Drita Islami vazhdon të shkëlqejë me paraqitjet e saj në garat e atletikës, derisa në vrapin e 400 metrave ajo theu rekordin e vjetër në nivel shtetëor që datonte nga viti 1980, njofton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë atletja shqiptare e arriti në kampionatin e Bullgarisë në salla të mbyllura, ku garoi jashtë konkurrencës.

Në Sofje ajo shtegun e 400 metrave e përshkoi me kohën prej 56 sekonda e 35 të qindtat, duke lënë pas vetes rekordin e para 40 viteve që ishte arritur me kohën prej 56.49 sekonda.

Për Islamin ishte ky rekordi i 6-të shtetëror dhe njëherit edhe më i preferuari.

“Unë me të vërtetë e doja këtë rekord dhe punova shumë, bëra 3 gara në 3 javë duke filluar me 56.74 që ta përmirësoja në 56.62 dhe gara e tretë ishte ajo për të cilën po luftoja. Ky është rekordi im i 6-të shtetëror, por duhet të them që ky është i preferuari im pasi është rekordi më i vjetër që daton nga viti 1980 i cili ishte 56.49 dhe është një rekord i vjetër 40 vjeçar. Dua të falënderoj Federatën e Atletikës së Maqedonisë, Agjencinë e Rinisë dhe Sporteve për përkrahjen, gjithashtu edhe familjen time dhe natyrisht trajneren time Aleksandra Vojneska Zikova, e cila besoi në mua dhe më nxiti të ec përpara” – kishte shkruar Islami në profilin e saj në “facebook”.

Atletja shkupjane garat në Sofje të Bullgarisë i shfrytëzoi si parapërgatitje për kampionatin ballkanik, i cili me datë 15 shkurt do të mbahet në Stamboll të Tuqisë.

Leave a Reply