Arbër Zeneli kopjon Artim Shaqirin, shënon gol direkt nga rivënia e këndit (VIDEO)

Arbër Zeneli ka shënuar një ndër golat e tij më të bukur të karrierës, shkruan “infOSport.mk”. Reprezentuesi kosovar që mbron ngjyrat e skuadrës franceze të Reims, sot në kuadër të xhiros së 14-të në elitën e futbollit francez, shënoi një gol spektakolar, duke realizuar direkt nga rivënia e këndit.

Zeneli këtë super gol e realizoi në minutën e 65-të, kur arriti që të barazojë shifrat në 1:1 përballë skuadrës së Brest, skuadër kjo që në fund megjithatë arriti deri tek fitorja 2:1, falë golit të shënuar nga Munie në minutën e 77-të.

Ky gol i Zenelit, ngjason me atë të Artim Shaqirit, i cili shumë vite më parë me të majtën e tij i kishte shënuar portierit legjendar të Arsenalit, Dejvid Siman, në ndeshjen e zhvilluar në Sautempton, Angli-Maqedoni, që ishte mbyllur me barazimin 2:2, transmeton “infOSport.mk”.

Për Zenelin ishte ky goli i parë sezonal në ndeshjen e tij të 10-të, ku në shumicën prej tyre është inkuadruar si zëvendësues, njëjtë sikurse edhe në ndeshjen e sotme ndaj Brest. Përveç Zenelit, te Reims për gjatë 90-të minutave u paraqit edhe shqiptari tjetër, Valon Berisha.

Reims pas 14 xhirove në “Ligue 1” renditet vetëm në pozitën e parafundit me 10 pikë të tubuara.

Leave a Reply