ZYRTARE, ish trajneri i Renovës merr drejtimin e Gjilanit!

Bylbyl Sokoli dhe zyrtarisht është trajner i ri i skuadrës së njohur kosovare të Gjilanit, njofton “infOSport.mk”. Një gjë e tillë flitej tashmë disa ditë nëpër mediat kosovare, ndërsa vetëm sot ka ardhur prezantimi i tij nga ana e drejtuesve të skuadrës së Gjilanit.

Sokoli do të synojë që me skuadrën që ka të nxjerrë maksimumin dhe të ketë objektiv fitimin e Kupës së Kosovës për të dalë në Europë, duke pasur parasysh se aktualisht ngec shumë pas rivalit lokal në garën për titull, apo edhe për pozitën e dytë.

Gjilani në 17 xhirot e deritanishme ka tubuar 26 pikë, 13 më pak se Drita e vendit të parë, që ka edhe një ndeshje më pak dhe 12 më pak se Ballkani i vendit të dytë.

Për ish trajnerin e Renovës, i cili në Maqedoni gjithashtu kishte udhëhequr edhe skuadrën kumanovare të Milanos, kjo do të jetë “aventura”e dytë me skuadrën e Gjilanit, të cilën e kishte udhëhequr edhe katër vite më parë.

Debutimin e tij sërish në bankinën e Gjilanit, ku do të gjejë edhe mesfushorin tetovarë, Muhamed Useini, Sokoli do ta ketë në mesjavë në ndeshjen e 1/16 së Kupës së Kosovës ndaj KEK-ut.

Leave a Reply