E konfirmojnë nga FFK, Kosova në mars miqësore me Katarin

Aktivitetin e parë të vitit 2021 përfaqësuesja U21 e Kosovës do ta ketë në pranverë, më saktësisht me 26 mars, kur “Dardanët” e rinj do të përballen me Katarin në kryeqytetin Doha, transmeton “infOSport.mk”.

Një gjë të tillë kanë konfirmuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, që gjithashtu bënë me dije se ekziston mundësia të zhvillohet edhe një miqësore tjetër treditë më pas. Miqësorja me Katarin vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy federatave.

Ndonëse ky takim ka kohë që është aranzhuar, gjithçka do të varet nga gjendja me pandeminë. Situata me Covid-19 do ta determinojë edhe praninë e lojtarëve kosovarë, të cilët janë të angazhuar në klubet evropiane.

E në Doha të Katarit do ta ketë debutimin si përzgjedhës i U21, trajneri gjerman Michael Nees, i cili u emërua në këtë pozitë muajin e kaluar. Ai në këtë grumbullim do të ketë në dispozicion futbollistët e gjeneratës 2000/2001.

Ky grumbullim në Katar do t’i shërbejë Kombëtares U21 për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2023, ku bën pjesë në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën e Çekisë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën.

Ndeshjen e parëeliminatore, Kosova U21 do ta luajë më 8 qershor si vendase kundër Andorrës.

Leave a Reply