FC Shkupi fiton dhe rrezikon seriozisht Shkëndijën në garën për titull! (VIDEO)

FC Shkupi ka regjistruar fitore minimale në një nga ndeshjet më interesante të javës së 21-të në elitën e futbollit vendor, duke mundur Sileksin në Kratovë me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.

Dy pikët e humbura në ndeshjen e së dielës kundër Akademia Pandevit si vendas, bënë që skuadra e Hasan Ozer sot në Kratovë të jetë më agresive, sidomos në sulm, repart ky që ende nuk është në nivelin e duhur.

Megjithatë kur nuk funksionojnë sulmuesit me në krye Rexhinaldon, këtu është Fredy Alvarez, një ndër mesfushorët më të mirë në futbollin vendor, që u përkujdes për fitoren e skuadrës nga Çairi.

Kostarikani në minutën e 79-të përfitoi një penalti, e për më tepër për shkak prekjes me dorë arbitri kryesor ndëshkoi me të kuq mbrojtësin e Sileksit, Dejan Bllagojeviç. Alvarez morri përgjegjësinë e ekzekutimit të goditjes së 11-të metërshit, dhe nuk gaboi, duke kaluar në epërsi FC Shkupin në ato momente.

Ky gol u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e FC Shkupit përballë Sileksit, skuadër kjo që në fund ndeshjen e mbylli me 9 futbollistë, pas përjashtimit edhe të Jordan Serafimovskit, i cili në minutat shtesë të takimit u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, pasi si futbollistë i fundit ndali në mënyrë të palejuar Fredy Alvarez, që edhe në këtë ndeshje u tregua si një ndër futbollistët më të mirë në fushë nga rradhët e FC Shkupit.

Me lojë të mirë u dallua edhe Besar Iseni, që ishte rikthyer si titullarë, ndërsa një paraqitje të mirë bëri edhe Sabit Bilali, që në lojë u inkuadrua në minutën e 58-të në vend të Jakup Berishës.

Falë kësaj fitore, FC Shkupi numëron 40 pikë, 6 më pak se Shkëndija e vendit të parë, ndërkohë Sileksi tashmë renditet në zonën e ftohtë, duke u pozicionuar në vendin  e 9-të me 23 pikë të tubuara. (infOSport.mk)

Leave a Reply