Rabotniçki u tregua një “arrë e fortë” për Shkëndijën

Pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në stinorin pranveror, Shkëndija u ndal sot në transfertën në Shkup përballë Rabotniçkit, duke barazuar pa gola, njofton “infOSport.mk”.

Doli të jetë kjo një ndeshje shumë e luftuar nga ana e të dyja skuadrave, derisa minutat e para që të dyja skuadrat u panë shumë të rezervuara në lojën e tyre. Ata më shumë mendonin për golin e tyre, se për atë kundërshtarë, derisa tentativën e parë në këtë ndeshje e regjistruam në minutën e 18-të, kur sulmuesi vendas Nikola Prelçec goditi vetëm drejt në duart e Zahov.

Vetëm një minutë më pas në anën tjetër Doriev u kanos, mirëpo për shkak pozitës së tij jo të volitshme, e tëra që mundi të bëjë nr.14 i Shkëndijës, ishte që të rikthente topin para vijës së golit, por që aty afër nuk u shfaq asnjëri nga bashkëlojtarët e tij për të futur sferën në rrjetë.

Doriev u kanos sërish para portës së Jankov, por sërish pa arritur që të shënojë, njëjtë sikurse dhe Maksimov i Rabotniçkit, i cili edhe pse pati një mundësi të mirë për të shënuar në rrjetën e zbrazët, ai nga një distancë prej 10 metrash nuk arriti të kalojë në epërsi Rabotniçkin.

Fillimi i pjesës së dytë u takoi vendasve, të cilët u kanosën përmes Stankovskit, ndërsa në momentin kur kërkonin një penalti për prekje me dorë të Bruno Ditës, arbitri kryesor Aleksandar Stavrev tregoi që loja të vazhdojë.

Shkëndija edhe përkundër ndryshimeve të bëra në fillimin e pjesës së dytë, me inkuadrimin në lojëtë Kamer Qakës dhe Valmir Nafiut, e më vonë edhe të Rubin Hebajt dhe brazilianit Igor Da Silva, nuk arriti të rrezikojë më konkretisht portën e Jankov, me ç’rast në fund derbi i javës së 21-të midis Rabotniçkit dhe Shkëndijës u mbyll me barazim pa gola.

Shkëndija javën që vjen do të luaj derbin lokal kundër Renovës, ndërkohë FC Shkupi si vendas do të mirëpret Rabotniçkin. (infOSport.mk)

Leave a Reply