Trajneri i Struga Trim Lum dënohet me dy ndeshje

Trajneri i Struga Trim Lum, Srgjan Zaharievski është dënuar me dy ndeshje nga Komisioni Disciplinorë pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë, pas protestave të këtij të fundit pas përfundimit të ndeshjes kundër Pelisterit, njofton “infOSport.mk”.

Zaharievski ishte shumë nervoz me arbitrët e takimit, që sipas tij nuk morrën guximin të tregojnë në pikën e bardhë, edhe pse kishte elemente për penalti në minutat shtesë të takimit, ndërsa gjithashtu skuadra e tij ishte dëmtuar edhe më herët kur rezultati ishte 0:0.

Ai madje pas përfundimit të takimit në një deklaratë për faqen zyrtare të klubit strugan, kishte deklaruar: “Mund të them se koha për ndeshjen kaloi, mirëpo në asnjë mënyrë nuk mund të themi se ishte ndeshje, pasi të gjithë aktorët që morrëm pjesë merituam një zero të madhe. Andaj jo rastësisht futbolli i Maqedonisë është në këtë nivel”.   

Kësisoj Zaharievski nuk do të mund të udhëheq skuadrën në ndeshjet kundër Vardarit këtë të diele në Shkup si dhe në ndeshjen e parë të rrethit të tretë të LPFMV. (infOSport.mk)

Leave a Reply