Çka bëri Muamed Sejdini për dy vite në krye të FFM-së? (VIDEO)

E diela e 14 marsit të vitit 2021 sjell Kuvendin e Rregullt dhe Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut dhe kandidati i vetëm për të rimarrë kreun e institucionit më të lartë të futbollit vendor është presidenti aktual, Muamed Sejdini.

Por, në fakt kush është dhe çka bëri Muamed Sejdini?

“Shtëpia e Futbollit” të vendit në dy vitet e fundit ose më saktë nga 17 marsi i 2019-tës, udhëhiqet nga presidenti Muamed Sejdini, i cili erdhi në këtë post, duke zëvendësuar ish-kryetarin Ilço Gjorgjioski që u largua, ndërsa kërçovari me votat që ju besuan në Kuvendin Zgjedhor të 2019-tës, vazhdoi mandatin e ish-kreut para tij, duke u bërë kështu në të njejtën kohë edhe presidenti i parë shqiptar që merr pozicionin më të lartë në këtë institucion, pasi në të kaluar nuk kishte ndodhur që një shqiptar të udhëheq me futbollin.

Dhe të njejtit mandat i erdhi fundi dhe në Kuvendin e kësaj të diele, do të ketë zgjedhje për një mandatë të plotë që do të jetë për katër vite të ardhshme.

Por çfarë bëri Muamed Sejdini në këtë gjysmë mandati apo për këto dy vite në krye të FFM-së?

Nën udhëheqjen e Sejdinit, FFM dhe Maqedonia arriti të shkruaj historinë, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në Kampionatin Europian të futbollit që do të luhet këtë verë, që një gjë të tillë, vendi më parë e shijonte vetëm përmes televizionit, duke parë yjet tjerë të futbollit europian, ndërsa në qershor të këtij viti, përfaqësuesja e Maqedonisë do të jetë po në mesin e atyre yjeve të grumbulluar në një event madhor ku marrin pjesë përfaqësuese të forta si Spanja, Anglia, Gjermania, Franca, Portugalia e shumë tjera.

Por të pyetemi e analizojmë pak arsyet e kësaj ecurie pozitive dhe kontributin e Federatës dhe presidentit Muamed Sejdinit në këtë ngritje? Sigurisht se presidenca nuk mund të zbres në fushë për të luajtur futboll, por FFM vendosi standarde të reja, u ndërtua një hierarki serioze në baza të forta të meritokracisë, u mundësuan të gjitha kushtet e nevojshme në dispozicion të reprezentuesve, duke kompletuar gjithashtu një ekip me seleksionues të cilët detyrë bazë kishin për të thirur në ekip vetëm futbollistët që e meritojnë atë bazuar në formën e momentit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre nacionale dhe faktit nëse flasim për maqedon, shqiptar, turk apo boshnjak. Duke i dhënë fund kështu diskriminimit etnik në përfaqësuesen e Maqedonisë, kur në të kaluarën kemi qenë dëshmitarë të shumë zgjedhjeve selektive dhe diskriminuese, jo vetëm në aspekt etnik, por edhe të lojërave tjera të pista përmes favorizimeve të ndryshe të futbollistëve të sponsorizuar nga menaxherë të futbollit, e që përmes ekipit përfaqësues tentonin dhe siguronin transferime jashta vendit, tanimë në përfaqësuese do të thireshin vetëm ata që meritojnë dhe suksesi natyrisht se do të ishte i pashmangshëm.

Gjithashtu, Muamed Sejdini për suksesin historik, ndau premion më të madhe që nuk është dhënë ndonjëherë nga ndonjë federatë apo klub sportiv, duke ndarë plotë 4 milionë e 200 mijë euro, për futbollistët, stafin teknik dhe të gjithë tjerët që kontribuan në kohën kur përfaqësuesja e vendit ishte në rrugëtimin për të arritur atë që nuk ishte prekur asnjëherë më parë.

Muamed Sejdini arriti që për herë të parë ti shes drejtat televizive për Ligën e Parë të vendit jashtë Maqedonisë, duke arritur marrëveshje me “Arena Sport” të Serbisë për transmetim të ndeshjeve në elitë, ndërsa në këmbim morën 300 mijë euro për dy sezone. Në këtë situatë, Sejdini ua lehtësoi klubeve elitare, duke ua hequr kotizimin në fillim të sezonit, që më herët u paguante nga 15 mijë euro në skuadër.

Si asnjëherë më parë në histori të këtij vendi, FFM nën udhëheqjen e Muamed Sejdinit për dy vite, realizoi shumë projekte për rindërtimin e stadiumeve në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut.

Duke nisur nga kryeqyteti, FC Shkupi, nga FFM me projekte “Het Trik” të UEFA-së, arriti që të përfiton një tribunë të re moderne, plus terren të ri me bar natyral me sistem modern për ujitje dhe kullim. Reflektor të ri së bashku me terren të ri në stadiumin në Prilep. Tribunë dhe terren të ri në stadiumin “Biljanini Izvori” në Ohër, terren të ri në Xhepçisht të Tetovës për KF Renovën, reflektorë të ri dhe modern në stadiumin në “Tumbe Kafe” në Manastir, terren të ri me bar artificial në Strumicë, tribunë të re modern në stadiumin e Shtipit si dhe shumë projekte tjera dhe ndihmesa nga ana e FFM-së.

Sigurisht në udhëheqjen dy vjeçare të Sejdinit, nuk mund të harrohet as bamirësia jashtë futbollit. Në kohën kur vendi u kamplua nga kriza e pandemisë si e gjithë bota dhe kur futbolli e sporti kaluan në rend të dytë, presidenti Muamed Sejdini dhuroi tri automjete ambulance për spitalin e qytetit të Shkupit.

President modest dhe i pa ekspozuar shumë për punët e bëra, ndërsa ata që janë dëshmitarë për udhëheqjen e tij korrekte e kanë rastin ta vlerësojnë këtë të diele nëse duhet të jepet besimi edhe për një mandat të plotë në krye të FFM-së.

Leave a Reply