Milani rikthehet te fitorja dhe vendi i dytë (VIDEO)

Milani është rikthyer te fitorja ditën e shtunë, pasi në “San Siro” mposhti Beneventon me rezultatin 2:0. Kuqezinjtë e Piolit u shfaqën dominues nga fillimi i ndeshjes, teksa gjetën golin e avantazhit që në minutën e 6-të, kur Çalhanoglu pas një aksioni model të nisur nga ai vetë, ia doli ta dërgojë topin në rrjetë.

Pas këtij goli të shënuar, Milani vazhdoi të sulmojë duke krijuar edhe disa raste tjera shënimi, por nuk ia dolën ta dërgojnë topin në rrjetë, kjo edhe për shkak të portierit Montipo, i cili ishte në ditën e tij më të mirë, duke bërë disa pritje vendimtare.

Megjithatë në minutën e 60-të, i njëjti u mposht nga Teo Hernandez, i cili ishte në vendin e duhur, për ta dërguar topin ne rrjetë, pasi Montipo paraprakisht kishte pritur një gjuajtje të fortë të Zalatan Ibrahimoviç.

Deri në fund nuk ndryshoi rezultati, me Milanin që merr kështu një fitore shumë të rëndësishme, e cila i ngjit kuqezinjtë përkohësisht në vendin e dytë me 69 pikë, 1 pikë më shumë se Atalanta e vendit të tretë, që luan sot ndaj Sasuolos.

Javën tjetër kuqezinjtë luajnë në transfertë ndaj Juventusit, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë me çdo kusht fitoren, për objektivin Çampions.

Fitore identike 2:0 edhe për Interin, që mundi në transfertë Krotonen, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion. Që të dy golat “zikaltërit” i realizuan në pjesën e dytë, me Eriksen i cili doli të jetë i saktë në minutën e 69-të dhe Hakimi, që konfirmoi fitoren e 25-të sezonale të Interit.

Në ndeshjen e parë të ditës së shtunë, Verona dhe Specia e Ardijan Ismajlit barazuan me shifrat 1:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply