FC Shkupi mund Llapin dhe sheh me sy drejt raundit tjetër në Ligën e Konferencës

FC Shkupi ka shënuar fitore 2:0 ndaj Llapit në ndeshjen e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke hedhur një hap shumë të madh drejt kualifikimit në raundin e dytë të këtij kompeticioni më të ri nga ana e UEFA-s, njofton “infOSport.mk”.

Në arenën Todor Proeski të dyja skuadrat treguan një futboll të hapur, derisa “bardhekaltërit” nga Çairi të përkrahur edhe nga publiku shfrytëzuan rastet e tyre duke shënuar nga një gol në secilën pjesë.

Kire Markoski, futbollisti i ardhur nga rradhët e Akademia Pandev hapi serinë e golave në minutën e 36-të, ndërkohë goli i dytë erdhi vetëm në minutat shtesë të takimit, kur mbrojtësi nga Ruanda, Abdul Ruatubaje shfrytëzoi harkimin e Fredi Alvarez, duke shnëuar me kokë për rezultat 2:0.

Një super rezultat ky për të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski, që kanë gjasa të mëdha të kalojnë këtë raund, por gjithnjë duke bërë një ndeshje të mirë edhe në ndeshjen e kthimit në Prishtinë, që në program është me datë 15 korrik. (infOSport.mk)

Leave a Reply